E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tenderi i uniformave, pyetet edhe vëllai i deputetit

Edmond Rusmali është skualifikuar nga tenderi i këpucëve, i fituar më pas nga biznesmeni Ilir Sulo

Një tjetër tender për veshmbathjet e punonjësve të Policisë së Shtetit, të ushtrisë, të Gardës dhe të policive tatimore e doganore dyshohet se është realizuar në kundërshtim me ligjin nga Ministria e Brendshme. Bëhet fjalë për tenderin e këpucëve, ku fitues në pesë lote ka dalë biznesmeni Ilir Sulo, i marrë i pandehur nga prokuroria për tenderin e parë të uniformave, që është anuluar. Mësohet se mbajtja nën vëzhgim e biznesmenit Ilir Sulo, me vendim gjykate, ka sjellë indicie për oficerët e policisë gjyqësore, të cilët kanë zbuluar se krahas tenderit të mëparshëm, Sulo po mundohej të falsifikonte edhe fituesin e këtij tenderi, duke korruptuar zyrtarët e Ministrisë së Brendshme dhe biznesmenët që kanë marrë pjesë. Burime pranë Policisë së Shtetit thanë për gazetën “Shqip”, se në pyetje për këtë tender është marrë edhe Edmond Rusmali, vëllai i deputetit të Partisë Demokratike, Ilir Rusmali. Disa ditë më parë, në adresë të Edmond Rusmalit ka mbërritur një fletëthirrje, e cila është ekzekutuar, ku Rusmali është marrë në pyetje nga oficerët e policisë gjyqësore.

Hetimet

Prokuroria ka dërguar ditë më parë si të pandehur në Gjykatën e Tiranës disa zyrtarë dhe biznesmenë të ndryshëm, të cilët në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë falsifikuar tenderin për prokurimet e uniformave të ushtrisë, policisë, Gardës, burgjeve, doganave dhe marinës. Prokuroria e Tiranës ka vënë nën akuzën e “korrupsionit aktiv të personave që ushtrojnë funksione publike”, shtatë persona, me në krye Bujar Muratin, ish-drejtor i Drejtorisë së Përgjithshme të Prokurimeve pranë Ministrisë së Brendshme. Dosja është dërguar në gjykatë, ndërsa provat më të forta të akuzës janë përgjimet dhe vëzhgimet. Krahas këtij tenderi, prokuroria dhe policia dyshon se këta të pandehur kanë falsifikuar edhe zhvillimin e tenderit të këpucëve, ku të pesë lotet e këtij prokurimi janë fituar nga i pandehuri Ilir Sulo. Burime nga policia dhe prokuroria deklarojnë se nga provat e procedimit të parë penal hetimet për këtë tender janë veçuar, ndërsa kanë filluar verifikimet e para. Prokuroria dyshon se të pandehurit janë të njëjtë, pasi edhe kandidatët për të fituar kanë qenë pothuajse të ngjashëm, në përjashtim të pjesëmarrjes në këtë tender edhe të firmës së kryesuar nga shtetasi Edmond Rusmali, vëllai i deputetit Ilir Rusmali. Gjatë zhvillimit të tenderit, firma e Rusmalit është skualifikuar nga gara, çka ka sjellë edhe irritimin e Edmondit, i cili, sipas akuzës, ka kryer një bisedë telefonike me tone të acaruara me biznesmenin Ilir Sulo.

Dëshmia

Burime nga Policia e Shtetit thanë se Edmond Rusmali është marrë në pyetje në cilësinë e personit që ka dijeni për ngjarjen, pas fletëthirrjes së prokurorisë. Edmond Rusmali është njohur nga oficerët e policisë gjyqësore me një provë të organit të akuzës kundër biznesmenit Ilir Sulo, e cila kishte të bënte me një bisedë të Edmondit me Ilirin pas skualifikimit të firmës së tij nga tenderi. Në bisedë, sipas akuzës, Edmond Rusmali ishte i acaruar dhe i bënte me dije Sulos nëse kishte gisht në këtë skualifikim, pasi firma e tij i kishte të gjitha dokumentet e duhura për ta fituar këtë tender, si dhe oferta e tij ishte shumë e mirë. Nga ana tjetër, Sulo i ka bërë të qartë se nuk ka pasur asnjë ndërhyrje te zyrtarët e Ministrisë së Brendshme, ndryshe nga sa deklaron organi i prokurorisë. Akuza thotë se dyshon se Sulo ka arritur që, nëpërmjet ryshfetit, të fitojë këtë prokurim. Ndërkohë, burime nga organi i prokurorisë deklarojnë se pyetja e Edmond Rusmalit është realizuar për faktimin e disa të dhënave në dosje dhe se ai është jashtë çdo lloj hetimi. “Në kuadër të hetimit ndaj biznesmenit Ilir Sulo dhe të disa zyrtarëve të tij kemi kapur një bisedë midis të pandehurit Ilir dhe shtetasit Edmond. Për të faktuar këtë bisedë, shtetasit Edmond Rusmali i kemi dërguar një fletëthirrje, ku e kemi pyetur për disa detaje, të cilat nuk mund të bëhen të ditura, pasi janë në fazën e hetimeve paraprake”, thanë burimet zyrtare nga Prokuroria e Tiranës. Ndërkohë, nga burime pranë policisë mësohet se Rusmali ka deklaruar se nuk ka pasur asnjë dijeni nëse ky tender ka pasur parregullsi. Ai pranoi se ka biseduar me biznesmenin Ilir Sulo, duke dyshuar tek ai se mund ta kishte “falsifikuar këtë tender”, por kurrsesi nuk ka pasur asnjë të dhënë nëse ky prokurim ka qenë i jashtëligjshëm.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›