Doganat arrijnë planin 6-mujor në limite, rriten eksportet shqiptare
Administrata doganore ka mundur të arkëtojë për buxhetin e shtetit rreth 7.5 miliardë lekë më shumë se vitin e kaluar. Shifrat e publikuara dje nga Drejtoria e Përgjithshme paraqesin një situatë të normalizuar pas fillimit negativ të 2010-s. Gjithsesi, plani është arritur në limitet e fundit, 100 për qind, duke u konsideruar sukses, nisur nga kriza ku ndodhet vendi.
Administrata doganore shqiptare, në 6-mujorin e parë të vitit 2010 arkëton 55.19 miliardë lekë nga 47.67 miliardë lekë të arkëtuara në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar me një rritje prej 15.8 për qind më shumë. Sa i takon muajit qershor, janë arkëtuar 10.32 miliardë lekë nga 9.94 miliardë të planifikuara, duke realizuar planin e të ardhurave në masën 104 për qind.
Zhdoganimi i mallrave me akcizë gjatë 6-mujorit të parë të vitit 2010 është në tërësi pozitiv. Cigare janë zhdoganuar 32 tonë më shumë nga e njëjta periudhë e një viti më parë. Në këtë 6-mujor janë zhdoganuar 1764 tonë nga 1732 të zhdoganuara në të njëjtën periudhë të vitit 2009. Ndërsa karburante janë zhdoganuar 26345 tonë më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë. Në këtë 6-mujor janë zhdoganuar 220258 tonë nga 193913 tonë të zhdoganuara në të njëjtën periudhë të vitit 2009.
Gjatë 6-mujorit të parë 2010, volumi i eksporteve shqiptare shprehur në sasi është 1071.7 mijë tonë nga 603.2 mijë tonë të regjistruar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, me një rritje prej 468.5 mijë tonë ose 77.7 për qind më shumë.
#