E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thaçi: “Nuk kushtëzohem nga Mali i Zi”



Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka deklaruar se nuk pret kushtëzime nga Mali i Zi pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike. Duke komentuar një deklaratë të presidentit malazez, Filip Vujanoviç, se para vendosjes së marrëdhënieve diplomatike malazezët duhet të njihen si komunitet edhe me Kushtetutë dhe të sigurohen kushtet për kthimin e popullsisë joshqiptare në Kosovë, Thaçi ka thënë se qeveria e tij po punon për kthimin e të gjithëve që kanë braktisur Kosovën. “Dy shtetet tona kanë marrëdhënie të mira dhe besoj se së shpejti do të jenë edhe në nivelin diplomatik, pa kushtëzime”, - është shprehur Thaçi për gazetën “Vijesti” të Podgoricës. Kryeministri kosovar megjithatë i quajti të drejta kërkesat e Vujanoviçit. “Ne kemi mirëkuptim për to, por duhet të theksoj se çdo ditë po punojmë në këtë drejtim që në shtëpi të kthehen të gjithë që kanë braktisur Kosovën. Qeveria jonë po punon me përkushtim dhe këtë askush nuk mund të na e mohojë”, - ka theksuar Thaçi.

NATO: Më 21 janar nis krijimi i FSK-së

“Krijimi i Forcave të Sigurisë së Kosovës do të nisë më 21 janar”, - kështu ka deklaruar zëdhënësi i NATO-s, Xhejms Apathurai. Ky i fundit u shpreh: “Trupat Mbrojtëse të Kosovës do të shkrihen zyrtarisht më 20 janar, ndërsa menjëherë do të nisë puna në rekrutimin e pjesëtarëve të rinj të FSK-së”.
Procesi i rekrutimit, sipas Apathuarit, do të bëhet në bashkëpunim me Qeverinë e Kosovës dhe KFOR-in. Zyrtarët e NATO-s janë optimistë se procesi do të shkojë pa probleme dhe në afat të shkurtër. Sipas Apathurait, në procesin e themelimit vëmendje e posaçme duhet t’i kushtohet faktit që Forcat e Sigurisë së Kosovës të jenë nën kontrollin demokratik parlamentar. Gjithashtu, këto forca duhet të jenë shumetnike. Kandidatët e rinj për FSK-në duhet të plotësojnë kushte të caktuara, ndërsa zyrtarët e aleancës tërheqin vërejtjen se përveç kualifikimit adekuat, një ndër kushtet do të jetë njohja e gjuhëve shqipe dhe serbe, sepse, sipas NATO-s, FSK-ja do të ketë karakter shumetnik.

15 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›