E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjirokastër, dështon seanca e parë gjyqësore për pallatin e shembur

Fillon gjyqi ndaj shkaktarëve të shembjes së pallatit, nëntorin e vitit të kaluar. Pas pesë muajve, periudhë që shërbeu për prokurorinë për gjetjen e provave, verifikimin e rrethanave të ngjarjes, ekspertizave në terren, ngritjeve të akuzave dhe marrjes në pyetje të më tepër se 30 personave, dje është zhvilluar seanca e parë në Gjykatën e Shkallës së Parë të Gjirokastrës në ngarkim të shtatë të pandehurve. Ata akuzohen si shkaktarë të shembjes së pallatit pesëkatësh në lagjen 11 Janari mesditën e 9 nëntorit të vitit të kaluar, ku humbën jetën tre shtetas dhe u plagosën gjashtë të tjerë. Në seancën e ditës së djeshme, trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtari Desard Avdulaj, njëkohësisht kryetar i kësaj gjykate, është njohur zyrtarisht me përfaqësuesit ligjorë që do të marrin pjesë në këtë gjykim. Mësohet se është hera e parë që shkalla e parë e gjyqësorit të Gjirokastrës, do të gjykojë njëkohësisht shtatë të pandehur në një proces të vetëm gjyqësor. Në fillim në seancës së djeshme, dy prokurorët e çështjes penale Alfred Saliu dhe Arben Pasho, kanë kërkuar që gjykimi të shtyhet, pasi dy prej të pandehurve Admir Shehaj kryeinspektor në Inspektoratin e Ndërtimit ndodhej i shtruar në spitalin e burgut në Tiranë për arsye shëndetësore. Veç Shehajt, në seancën e fillestare gjyqësore, ka rënë në sy edhe mungesa e shefit të zyrës së Urbanistikës në Bashkinë e Gjirokastrës, Alfred Mamani, pasi nuk ishte njoftuar për zhvillimin e seancës gjyqësore. Ky i fundit ka lënë qelinë një javë më parë, pasi Gjykata e Lartë ka vlerësuar masën e tij të arrestit në shtëpi. Sipas kornizës ligjore, të pandehurit e tjerë, të cilët ndiqen në gjendje të lirë, nuk kanë qenë të ulur përkrah Gjergji Meçit dhe Sotiraq Janorës inxhinierit dhe pronarit të firmës së ndërtimit Arti shpk, të cilët qëndronin të vetëm pas hekurave ndërkohë që të akuzuarit e tjerë qëndronin përkrah përfaqësuesve të tyre legalë të mbrojtjes. Nga ana e tyre, prokurorët e çështjes, Saliu dhe Pasho kanë kërkuar nga trupi gjykues shtyrjen e seancës për mungesë të të dy të pandehurve, të cilët kanë rol kyç në këtë proces penal. Kjo kërkesë është pranuar nga trupi gjykues, duke vendosur që seanca e radhës të zhvillohet pas 15 ditëve pra më 21 prill. Nga hetimet e deritanishme është arritur në përfundimin se pallati pesë katësh i ngritur në një kodër në lagjen "11 Janari", u shemb për shkak të punimeve për ndërtimin e një godine të re shtatëkatëshe pranë tij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›