E Diel, 1 Nëntor 2026

Durrës, sherr në lokal, largohet autori i plagosjes së të riut

Një 20- vjeçar nga Shijaku, është shpallur në kërkim nga policia e Shijakut për shkak se ka qëlluar pistoletë të tipit TT ndaj shtetasit Olsi Ferizi. Sipas burimeve të policisë, arsyeja e plagosjes së kryer nga Ismail Nuredini ka ardhur për shkaqe fare banale. Burimet policore kanë bërë të ditur se ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së dielës në lokalin e Armando B nga qyteti i Shijakut, në të cilin ndodheshin dy personat e mësipërm. Fillimisht midis të dy personave ka filluar një grindje me fjalë për arsye inatesh të momentit, por sherri është bërë më serioz aq sa në një çast të caktuar Nuredini ka nxjerrë një pistoletë të tipit TT dhe ka qëlluar në drejtim të Olsi Ferizit. Nga të shtënat e pistoletës, Olsi Ferizi ka marrë plagë të ndryshme në trup dhe në këtë mënyrë ai është dërguar me urgjencë drejt spitalit. Autori i ngjarjes është larguar në drejtim të paditur, ndërkohë që personeli i lokalit ka ndihmuar të plagosurin për ta dërguar drejt spitalit rajonal në Durrës. Pas kësaj ngjarjeje të rëndë, në lokal ka mbërritur një tjetër person, i cili ka tentuar të fshehë provat e krimit. Pasi ka ndodhur ngjarja, Klodian Hushi, i cili pasi është interesuar se çfarë ka ndodhur, ka filluar manipulimin e provave për tja vështirësuar sa më shumë policisë gjetjen e provave në ngarkim të Nuredinit. Sipas burimeve policore, 30- vjeçari Klodian Hushi, i cili ka qenë më parë i dënuar për vjedhje, ka marrë gëzhojat e pistoletës me të cilat Ismail Nuredini kishte qëlluar mbi Olsi Ferizin. Të njëjtat burime kanë bërë të ditur se Klodian Hushi kishte shkuar tek lokali ku ndodhi plagosja, para se të mbërrinte policia e Shijakut dhe më pas është larguar. Ai është kapur disa orë më vonë dhe është arrestuar me akuzën e veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›