E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Ali Demi”, Rama: Lulishtja në tokë private nuk cenon pronën

Reagon kryetari i Bashkisë së Tiranës për pronarët e tokave. Megjithatë, nuk shprehet nëse toka do t’u mbetet në pronësi familjeve

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, z. Edi Rama, ka deklaruar se ndonëse po punon në një tokë private, pa kërkuar lejen e pronarëve, kjo nuk e cenon të drejtën e pronësisë. Mësohet se gjatë një komunikimi me qytetarët, ai nuk ka pranuar të thotë nëse toka do të mbetet në pronësi të familjeve, të cilat e kanë të hipotekuar, duke krijuar frikën për pronarët se toka po ju vidhet.

“Ne duam të dimë nëse toka është e jona apo jo. Me çfarë të drejte vjen dikush dhe punon në tokën time”, – deklaroi dje Fatbardha Mema, një prej bashkëpronarëve, duke deklaruar se nuk do të hidhet në gjyq bashkia për uzurpimin e tokës private. “Ne po na vjedhin tokën në dritë të diellit dhe nuk mund të vazhdojë më kjo situatë”.

“Ne nuk cenojmë pronën, por po punojmë në një projekt që sjell të mirë për komunitetin”, – mësohet t’u jetë deklaruar kryebashkiaku Rama, pronarëve të ligjshëm të pronës, duke shtuar madje se ekziston dokumentacioni i nevojshëm që mund të mbrojë ndërhyrjen e bashkisë në një pronë private, të cilët nuk e ka shpronësuar. “Duke ju sugjeruar që të mos mendoni se unë nuk di ç’është respekti për pronën dhe ligjin, madje duke ju siguruar se Bashkia e Tiranës disponon dokumentacionin e nevojshëm për ta mbrojtur vendimin e saj, për të investuar jo në grabitjen e një prone private, po për mirëmbajtjen e një hapësire që sot përbën një gangrenë për komunitetin”.

Por deri më sot, kryebashkiaku Rama nuk ka pranuar të thotë nëse kjo lulishte publike, do t’u kalojë pronarëve që kanë tapitë, apo ajo do të mbetet në pronësi të paligjshme të baskisë, apo privatëve të tjerë.

Fusha në fjalë është pronë private, ku bashkia ka vendosur pa shpronësuar pronarët e ligjshëm dhe pa u kërkuar atyre leje të ndërtojë një lulishte. Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave vendosi që trualli t’u rikthehet pronarëve dhe më 2 shtator ata morën certifikatën e pronësisë nga Hipoteka. Në të njëjtën periudhë, arritën të fitojnë gjyqin ndaj Bashkisë së Tiranës, që pretendonte se toka i takonte bashkisë, gjyq i cili shkoi deri në Gjykatën e Lartë, që vendosi se pronarët kishin të drejtë.

Tetë ditë më vonë, me një vendim të Këshillit të Rregullimit të Territorit, u vendos që në këtë tokë private do të bëhej një lulishte publike, pa u konsultuar me pronarët e vërtetë.

Përballë mospërgjigjes së shtetit, pronarët kanë deklaruar se do të hedhin në gjyq bashkinë për uzurpim të pronës, në mënyrë që të mbrojnë pronën e tyre. Në të kundërt, ata kanë paralajmëruar vetëgjyqësi. Familjet kanë fituar të gjitha gjyqet për çështjen e pronësisë, por ende çështja ka mbetur pezull, për shkak të veprimeve të Bashkisë së Tiranës. Zyrtarisht, Bashkia e Tiranës nuk ka reaguar për këtë çështje.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›