E Shtunë, 31 Tetor 2026

Maria Gruniceva dhe Stefan Riadkov, aktoret me te mire te monodrames ne Korce

Përfundon edicioni i katërt i Festivalit Ndërkombëtar të Monodramës

Aktorja ukrainase, Maria Gruniçeva dhe aktori bullgar, Stefan Riadkov u shpallën fitues të edicionit të katërt të Festivalit Ndërkombëtar të Monodramës "Albamono 2009", që u zhvillua nga  23-28 Maj në qytetin juglindor të Korçës. Festivali u mbyll dje në mbrëmje me monodramën  "11 këngë dashurie", interpretuar nga aktori bullgar, Riadkov. Në përfundim, juria me kryetar shkrimtarin e njohur, Teodor Laço shpalli si interpretuesen më të mirë femër aktoren Maria Gruniçeva, për monodramën "Unë të pres i dashur", ndërsa Stefan Riadkov, u shpall më i miri mes aktorëve meshkuj. "Edicioni i katërt i festivalit ndërkombëtar të monodramës solli larmi subjektesh dhe interpretimesh, por juria  vlerësoi si më të mirat pjesët e përcjella nga Maria Gruniçeva dhe Stefan Diadkov", tha në përfundim të festivalit drejtori artistik i këtij aktiviteti, Dhimitër Orgocka. Ai  veçoi si shfaqje me nivel artistik dhe monodramën "Antigona" te teatrit të Maqedonisë, "Velloja e bardhë" e teatrit të Korçës, ndërkohë që përmendi si prurje të re monodramën "Ndoshta do të vijë", shkruar dhe interpretuar nga nxënësi korçar, Kristian Koroveshi. "Të shtatë spektaklet e këtij festivali, sollën një prurje të dobishme në zhanrin e monodramës", vlerësoi Orgocka, duke përmendur si sukses të këtij aktiviteti shfaqjet në qendra turistike të Korçës, në Voskopojë, Dardhë, etj. Organizimi i këtij festivali në qytetin e Korçës, me mbështetjen e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, synon dhe promovimin e vlerave turistike të rajonit juglindor për vizitorët e huaj, nëpërmjet aktiviteteve të tilla kulturore, të përmasave ndërkombëtare. Në edicionin e katërt të Festivalit Ndërkombëtar të Monodramës "Albamono 09" u dhanë 7 shfaqje nga aktorë të ardhur nga Gjermania, Ukraina, Greqia, Bullgaria, Maqedonia, krahas monodramës " Velloja e bardhë", interpretuar nga aktorja Zamira Kita dhe promovimit të monodramës të nxënësit, Kristian Koroveshi. 


...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›