E Diel, 1 Nëntor 2026

Rriten shkembimet tregtare mes Shqiperise dhe Malit te Zi

Zhvillon punimet në Tiranë Forumi i Biznesit Shqipëri - Mali i Zi

Aspiratat e përbashkëta mes Shqipërisë dhe Malit të Zi, prania  gjeografike, afërsitë historike, bashkëpunimi për destinacionin e shumëdëshiruar, BE-në, ishin  në qendër të Forumit Ekonomik Shqipëri-Mali i Zi, që u zhvillua sot në hotel Tirana, me pjesëmarrjen edhe të ministrit të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Adrian Turku. Mbi 50 drejtues të bizneseve, kryesisht në fushat e turizmit, jahteve, ndërtimit dhe prodhimeve të ndryshme, ishin pjesë e delegacionit malazes, i kryesuar nga kryetari i Dhomës Ekonomike të Malit të Zi, Velimir Mijuskovic. Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës, prof. Gjokë Uldedaj, duke përshëndetur të pranishmit në këtë Forum, theksoi se "tani më shumë se kurrë është mundësia më e mirë për të bërë biznes në vendin tonë. Ndërtimi i doganës së përbashkët në Muriqan, një financim i Bashkimit Europian, dëshmon qartë dëshirën për bashkëpunim mes dy vendeve, duke e kthyer këtë pikë të vetmen të këtij lloji në të gjithë Europën". Sipas Uldedaj, në rrafshin ekonomik dhe tregtar, marrëdhëniet e biznesit shqiptar me atë malazez, kanë ardhur duke u rritur. Shkëmbimet tregtare me Malin e Zi në vitin 2008 arritën shifrat e 32 milion euro dhe në krahasim me vitin 2007, rritja është 59%. Eksportet drejt Malit të Zi në vitin 2008 arritën në shifrën e 17,9 milion euro. Produktet kryesore, të cilat janë eksportuar nga Shqipëria drejt Malit të Zi, kanë qenë produktet minerale, metale të ndryshëm, materiale ndërtimi dhe produktet bujqësore. Ndërkohë, importet nga Mali i Zi në vitin 2008 arritën në shifrën 12 milion euro. Produktet kryesore, të cilat janë importuar nga Mali i Zi drejt Shqipërisë kanë qenë: produktet bujqësore, metale, makineri të ndryshme, prodhime druri dhe prodhimet e plastikës. Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës prezantoi për biznesin malazes drejtimet ku mund të përqëndrohen investimet e huaja në Shqipëri. Edhe Dhoma Ekonomike e Malit të Zi prezantoi potencialet dhe avantazhet për investime të huaja. Dy kryetarët e Dhomave, Uldedaj dhe  Mijuskovic, firmosën dhe një marrëveshje bashkëpunimi në fushat ekonomike dhe me interes të përbashkët në të ardhmen.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›