Marianne Birthler: Nga hapja e dosjeve nuk ka pasur hakmarrje
E ngarkuara nga Parlamenti gjerman për hapjen e dosjeve të një prej shërbimeve sekrete më të famshme, STAS, Marianne Birthler, tregon të gjithë përvojën gjermane në këtë fushë. Në një intervistë televizive ajo tregon se Gjermania ishte nga të parat vende që vendosi të hapte dosjet, në mënyrë që të shihej nga çdo viktimë se ç’kishte ndodhur me jetën private të tij nga ndërhyrjet e STAS-it. Ajo shprehet se janë hapur mbi 6 milionë dosje dhe nga ky proces nuk ka pasur hakmarrje. Duke folur më tej, zonja Marianne Birthler shprehet se ata që e kundërshtonin në fillim një ligj për lustracionin, ngrinin arsye se do të ketë hakmarrje në masë, do të ketë probleme etj. Por kjo nuk ndodhi, sipas Birthler, madje ajo shton se pretendimet se një pjesë e madhe e popullsisë ishte përfshirë me shërbimet sekrete, ranë poshtë. Në lidhje me rastin shqiptar, ajo mendon se duhet një proces i qartë ligjor dhe i pavarur, në mënyrë që njerëzit të kenë besim tek komisioni që do të ngrihet dhe do të merret me administrimin e dosjeve.
Cilët qenë aktorët që mundësuan hapjen e dosjeve në Gjermani dhe si ndikoi kjo nga bashkimi i dy Gjermanive?
Do të doja të filloja se me hapjen e dosjeve nuk bëhej fjalë vetëm me hapjen e dokumentacioneve, por së pari për kapërcimin e së kaluarës, që ne e quajmë lustracion, por që kushdo që të kishte interes, të kishte akses si ndonjë shkencëtar i interesuar për punët e tyre. Iniciativa e parë për hapjen e dosjeve në Gjermani ishte fillimisht nga shoqëria civile.
Cila nga Gjermanitë e kërkoi, ajo Lindore apo Gjermania Perëndimore?
Ishte një iniciativë e lirë qytetare në Gjermaninë Lindore.
Për ta bërë më të qartë, ndonjë bashkëpunëtor i STAS-it, mund të kandidojë për deputet?
Kjo nuk ndalohet me ligj, por për shumicën e njerëzve në Gjermani, kjo nuk është e pranueshme. Nëse dikush ka punuar dikur me STAS-in, mund të ndërmarrë ndonjë funksion politik.
Pra, ai mund të krijojë edhe parti politike, pra mund të punojë edhe në administratë?
Teorikisht po, ndërsa praktikisht jo. Kjo, sepse ka një konsensus të gjerë në Gjermani që dikush që ka punuar në shërbimet e policisë sekrete, të mos jetë i përfshirë apo të punojnë në administratën publike.
Me një fjalë, ligji nuk e ndalon?
Jo, ligji nuk e ndalon.
A ka pasur kritika për punën tuaj dhe cilat kanë qenë ato?
Sigurisht që ka pasur. Në fillim ishin kundër ata që kishin bashkëpunuar me regjimin e mëparshëm dhe që nuk kishin interes për të nxjerrë të vërtetën. Nga ana tjetër, ka pasur njerëz që kanë pasur frikë, pasi mendonin se hapja e dosjeve do të çonte në hakmarrje dhe konflikte. Megjithatë, kjo frikë nuk u konfirmua dhe qindra e mijëra njerëz morën informacionin që kërkonin.
Duke iu kthyer rastit të Shqipërisë e cila ka 3 milionë banorë, a mendoni se hapja e dosjeve mund të sjellë hakmarrje, kur gati një e treta e popullsisë, qoftë me dhunë, qoftë vullnetarisht i kanë shërbyer regjimit?
Por e njëjta gjë ka qenë në ish-Republikën Demokratike Gjermane. Edhe bindem që është një vend i vogël dhe mund të them që në të gjitha vendet e tjera hapja e dosjeve ka qenë një proces i vështirë. Megjithatë, nuk bëhet e rrezikshme nga fakti se këta njerëz që më përpara kanë punuar për këto dosje, jetojnë akoma, pasi sekreti do të mbetej në duart e njerëzve që i kanë bërë ato.
Ndryshe nga Gjermania Lindore, në Shqipëri kanë kaluar 18 vite nga rënia e komunizmit dhe hapja e dosjeve nuk u bë menjëherë. Aktorë të ndryshëm kanë hyrë në jetën politike dhe ekonomike të vendit.
Ka me të vërtetë shumë ndryshime mes situatës këtu dhe asaj në ish-Gjermaninë Lindore. Por situata është e ndryshme si në mjaft vende të tjera, si Sllovenia, Çekia etj. që kanë nisur tani procesin e hapjes së dosjeve. Një tjetër shqetësim ka qenë edhe pjesa e punonjësve të STAS-it të cilët janë pushuar nga puna. Megjithatë, unë mendoj se do të ishte e arsyeshme të gjendet rruga për të vepruar me punonjësit e sigurimit dhe politikave e ish-sigurimit dhe rrugëve të fshehta për shkak të nevojës për demokraci.
Deri tani ka dy propozime. Të pengohet ai që ka bashkëpunuar me ish-shërbimin e fshehtë që të përfshihet në jetën publike, ndërsa tjetri nuk e pengon këtë gjë. Ju, cilin variant do të preferonit?
Unë do të preferoja të flisja për çështjen e dosjeve, por situatën në Shqipëri nuk e njoh mirë. Por e rëndësishme për mua është që kjo çështje të jetë e rregulluar në mënyrë ligjore. Ligji tek ne nga njëra anë hap dosjen, por nga ana tjetër mbron të dhënat e personave që kanë punuar për STAS-in. Personi i ngarkuar me çështjen e administrimit të dosjeve ka një pozicion të pavarur nga ndikimi politik dhe njerëzit krijuan besim për sa i përket procesit të hapjes së dosjeve. Për sa u përket personave që kanë punuar për STAS-in dikur, kjo çështje është ende në debat.
Cilat ishin anët negative dhe ato pozitive në hapjen e dosjeve në Gjermani?
Unë nuk kam konstatuar ndonjë disavantazh dhe nuk e kam të vështirë për të renditur anët pozitive. Më e rëndësishmja është që qindra e mijëra persona u njohën me atë që STAS-i kishte bërë me jetën e tyre private, ndërkohë që 6 milionë njerëz kanë kërkuar mbi dosjen e tyre.
Intervistoi Andi Bejtja, Klan Tv