E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bregu: Qeveria po ruan pavarësinë e institucioneve

Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, bëri dje të njohur angazhimin e qeverisë “Berisha” për të mos ndërhyrë në pavarësinë e institucioneve. Madje, duke iu referuar raportit të fundit të Freedom House, ajo vuri në dukje se FH e radhit Shqipërinë në vendin e parë për respektimin e institucioneve të pavarura. Ministrja e Integrimit dhe zëdhënësja e qeverisë, Majlinda Bregu, deklaroi se "asgjë nuk ka më të rëndësishme për këtë vend dhe për këtë qeveri sesa respektimi i pavarësisë së institucioneve". E pyetur nga mediat lidhur me disa deklarata të ambasadorit amerikan në Tiranë, i cili është shprehur se pavarësia e institucioneve të drejtësisë po shkelet nga qeveria, znj. Bregu vuri në dukje se "Shqipëria renditet si vendi i parë në rajon, në raportin e Freedom House për ruajtjen dhe respektimin e pavarësisë së institucioneve". Sipas saj, "në këtë raport Shqipëria lë pas vende të cilat janë shumë më përpara në hapat e tyre drejt Bashkimit Evropian". Lidhur me projektligjin "Për prokurorinë", znj. Bregu informoi se "ka përfunduar thuajse plotësisht diskutimi i tij, jo vetëm me prokurorinë, por edhe me EURALIUS, i cili aktualisht ndodhet në Ministrinë e Drejtësisë". "Pas diskutimit edhe të elementëve të tjerë, ligji do të mbërrijë në qeveri dhe më pas në Parlament. Ka pasur një dakordësi në konceptet kryesore të këtij projektligji", - tha znj. Bregu. Ndërsa çështja e heqjes së imunitetit, sipas saj, "është ende në diskutim nga Ministria e Drejtësisë me prokurorinë". “Raporti i Freedom House për respektimin e pavarësisë së gjyqësorit dhe sistemit të drejtësisë e rendit Shqipërinë të parën në rajon për përmirësimin e ndjeshëm të pavarësisë së institucioneve dhe kuadrit ligjor në qendër të të cilit janë gjyqësori dhe prokuroria”, - tha znj .Bregu. Ajo argumentoi se ky është raporti i tretë prestigjioz pas raportit të Doing Business dhe Transparency International që e vlerëson Shqipërinë për cilësinë e suksesit të reformave të ndërmarra në ekonomi dhe luftën kundër korrupsionit nga Kryeministri Berisha dhe nga qeveria. Sipas Freedom House, nga vendi i fundit që ishte në vitin 2005, këtë vit Shqipëria renditet në vendin e parë në rajon, duke përmirësuar indeksin me 0.5 pikë, nga 4.5 në 4.00. Raporti vlerëson punën e bërë nga qeveria për miratimin e ligjeve në Parlament që vijnë si detyrim i përafrimit me legjislacionin e Bashkimit Evropian, sikurse ligji i organizimit të gjyqësorit, mbrojtja e të dhënave personale, ndryshimet në ligjin për falimentimin, ndryshime dhe shtesa në ligjin për të drejtat e të dënuarve me burgim apo ndryshimet e bëra në Kodin Penal për mbrojtjen e të drejtave të minorenëve. Gjithashtu, në këtë raport vlerësohen dhe projektligjet e draftuara tashmë nga Ministria e Drejtësisë me ekspertë të huaj dhe vendas. Sipas Freedom House, qeveria ka miratuar një sërë ligjesh që presin miratimin e Parlamentit, ndërsa diskutohen në Komisionin e Ligjeve dhe me grupet e ndryshme të interesit, sikurse është projektligji “Për administratën gjyqësore”; ndryshime në Kodin Penal për përmirësimin e dispozitave lidhur me alternativat e dënimit dhe ngritjen e Shërbimit të Provës; përmirësimin e statusit të policisë së burgjeve për arritjen e një trajtimi më cilësor të të dënuarve me burgim; ndryshime në ligjin për profesionin e avokatit; propozimi për liberalizimin e profesionit të noterit; rregullimi i ndihmës juridike që shteti u ofron personave me mundësi të pamjaftueshme ekonomike, me qëllim mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të tyre të ligjshme në gjykata apo organe të tjera shtetërore; reformimi i institucionit të Avokatit të Shtetit në ndjekje të modelit spanjoll; reformimi i sistemit përmbarimor, nëpërmjet licencimit edhe të përmbaruesve privatë; krijimi i gjykatave të specializuara administrative për shqyrtimin e mosmarrëveshjeve; projektligji që reflekton detyrimet që Republika e Shqipërisë ka marrë përsipër me anë të ratifikimit të Konventës Civile kundër Korrupsionit, Konventës në fushën e krimeve kompjuterike, në kuadër të Këshillit të Evropës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›