Raporti: Shqipëria, e para në rajon për pavarësinë e institucioneve
Freedom House në raportin e saj vjetor lidhur me pavarësinë e sistemit të drejtësisë vlerëson se në këtë drejtim Shqipëria renditet më lart krahasuar me disa prej vendeve të rajonit. “Nga vendi i fundit që ishte në vitin 2005, në vlerësimin e këtij viti është në vendin e parë në rajon, duke përmirësuar indeksin me 0.50 pikë, nga 4.50 në 4.0”, - nënvizon raporti, duke shtuar se ndërsa në Shqipëri ka një përmirësim të qëndrueshëm, vende të tjera të rajonit, si Maqedonia dhe Serbia kanë bërë hapa prapa. “Përmirësimi i kuadrit ligjor nga qeveria e Kryeministrit Berisha, që vjen edhe si një detyrim i përafrimit të Shqipërisë me legjislacionin e vendeve të BE-së, po tenton të reformojë të gjitha institucionet e sistemit të drejtësisë, në qendër të të cilit janë gjyqësori dhe prokuroria. Janë këto dy institucione që janë vënë shumë herë në fokusin e akuzave për klientelizëm politik, korrupsion, mungesë paanshmërie dhe deri në partnerë të mafias dhe krimit të organizuar”, - thuhet më tej në raportin e Freedom House. Më tej, studimi i organizatës së mirënjohur vlerëson se retorika politike pozitë-opozitë mbi drejtësinë shumë herë ka shërbyer si koracë mbrojtëse për elementët e korruptuar dhe të inkriminuar të saj, por në disa raste është thënë se presioni i krijuar ka ndikuar negativisht edhe në performancën e tyre. Organizata ndërkombëtare nënvizon më tej në raportin e saj se në bashkëpunim me ekspertë të huaj dhe vendas, Ministria e Drejtësisë ka në proces draftimi projektligjin për ndryshime dhe shtesa “Për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”, projektligjin “Për të drejtën ndërkombëtare private”; projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin “Për Këshillin e Lartë të Drejtësisë”; projektligji “Për bashkëpunimin gjyqësor ndërkombëtar”; projektligji për Policinë Gjyqësore etj. Në përfundim të raportit organizata vlerëson se ka një opinion të krijuar që ligjet nuk mungojnë në Shqipëri, por nuk ka zbatim rigoroz të tyre. “Pikërisht për këtë, shumica e ligjeve të propozuara kërkojnë përmirësimin e organizimit të këtyre institucioneve, për të identifikuar lehtësisht përgjegjësit e mosfunksionimit të institucioneve, për të ndarë përgjegjësitë administrative dhe për të mos lënë më fajin jetim. Reforma në drejtësi është më e vështira, por edhe më jetike”, - theksohet në raportin vjetor të Freedom House.