E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bumçi: Rama mashtroi, të japë dorëheqjen

Demokratët këmbëngulën edhe dje në kërkesën për largimin e Edi Ramës nga posti i kryetarit të Partisë Socialiste. Deputeti i PD-së, Aldo Bumçi, i bëri dje thirrje kreut të PS-së që të japë dorëheqjen pas akuzave që hodhi kundër qeverisë për vdekjen e biznesmenit Kosta Trebicka. Gjatë një daljeje para mediave, zëdhënësi i grupit kuvendor të PD-së, Aldo Bumçi, theksoi se Rama po ngre mbi shpifje karrierën e tij politike. “Rama të kërkojë falje publike ose të japë dorëheqjen, pasi ishte ai që insinuoi vrasjen e dëshmitarit Kosta Trebicka nga qeveria dhe organizoi mitingun e turpit”, - tha z. Aldo Bumçi. Sipas tij, kryetari i PS-së po dëshmon se karriera e tij politike po ngrihet në bazë të shpifjeve dhe trillimeve. “Një gjë e tillë, - evidentoi Bumçi, - ishte rasti i vdekjes së biznesmenit Trebicka”. Para dy ditësh, edhe nënkryetarja e PD-së, Jozefina Topalli, gjatë një vizite në Malësinë e Madhe, kërkoi dorëheqjen e kryesocialistit Rama me argumentin e akuzave boshe që ngriti ndaj vdekjes së Trebickës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›