“Marie Kraja”, historitë e veçanta të 20 konkurrentëve
Alma Mile
Ata vijnë nga 14 shtete të ndryshme. Kontaktet e tyre me muzikën janë nga më të habitshmet dhe po kaq zgjedhjet që kanë bërë. Ajo që i bashkon të gjithë është gjuha e operës, për të cilën ata janë mbledhur në kryeqytetin shqiptar. Janë 20 artistët që do të ngjiten sot në skenën e Akademisë së Arteve, në edicionin e 10-të të Festivalit të Vokalit operistik “Marie Kraja”. Jo me pak mundim, producentja Zana Çela dhe gjithë bashkëpunëtorët e saj të zellshëm, arritën deri në këtë jubile, për të ofruar edhe një herë atmosferën e veçantë që krijon muzika operistike, për të mbledhur së bashku zërat më premtues dhe për të treguar se Shqipëria ka një traditë, jo vetëm në muzikën klasike, por edhe në organizimin e ngjarjeve të tilla. “Opera nuk është argëtim, opera është traditë, edukim, investim për unifikim imazhi më të mirë europian, për të gjithë vendet që aspirojnë të integrohen”, thotë Zana Çela, teksa është e kënaqur, që edhe këtë vit ka arritur të sjellë 20 zërat më të mirë të përzgjedhur mes 98 syresh, të ardhur nga vende të ndryshme të botës. Një ditë përpara hapjes së festivalit, ndihet emocioni mes të rinjve. Ky nuk është festivali i parë ku ata marrin pjesë. Nëse shfleton CV-të e tyre sheh se janë fitues të sa e sa çmimeve ndërkombëtare dhe repertori i tyre është shumë i pasur. Megjithatë për të gjithë konkurrentët, pjesëmarrja në këtë festival është shumë e rëndësishme dhe nuk lënë rast pa falënderuar organizatoren dhe mikpritësen Zana Çela. Përveç kulturës së madhe operistike, të cilën e përcjellin përmes arieve, me të cilat ata do të konkurrojnë, ata sjellin me vete edhe kulturën e vendeve nga vijnë, apo edhe traditat familjare. Se kush prej tyre sjell me vete një histori interesante dhe duket se këtë vit, ato janë të shumta. Basi rumun Alin Anca braktisi vokacionin e tij si prift për operën. Në vitin 2001–2006 diplomohet në Teologji Ortodokse në qytetin e tij të lindjes në Rumani, por duket se muzika operistike ishte ajo që e tërhiqte më shumë. Pa pëlqimin e prindërve ai nisi studimet operistike dhe nga janari i vitit 2007 e në vazhdim, punon pranë Teatrit të Operës në Cluj-Napoca, Rumani. Jo më pak interesante është historia e tenorit spanjoll Miguel Angel Lobato, i cili është diplomuar për Inxhinieri informatike pranë Universitetit Politeknik të Madridit. Zëri i tij u zbulua teksa i këndonte vajzës së zemrës një serenatë poshtë ballkonit. Mexosopranoja ukrainase Anna Moroz tregon se kur ishte e vogël i pëlqente të rrinte në shtëpinë e një shoqeje të nënës së saj, që kishte piano. “Kur isha 8 vjeç fillova të praktikoja gjimnastikën artistike dhe trajnerët e mi i thoshin prindërve që isha shumë premtuese, por pas dy vitesh u detyrova që ta lija gjimnastikën për probleme familjare. Pastaj në moshën 10-vjeçare bëra një provim për shkollën e muzikës dhe çuditërisht u pranova”, tregon ajo, ndërsa shton se në atë provim kishte shkuar pa dijeninë e prindërve. “Drejtuesit e shkollës njoftojnë prindërit e mi që kisha fituar të drejtën e studimit në atë shkollë. Fatmirësisht prindërit nuk e pritën keq këtë lajm, e vetmja gjë që tha babai ishte: ‘Atëherë duhet të blejmë një piano’ dhe më ‘kërcënoi’ duke më thënë se nëse nuk do studioja sistematikisht, atëherë do ta hidhnin pianon nga dritarja. Kur ata e panë se shumë shpejt fillova të luaja në piano më dhanë mbështetjen e tyre. Kur unë e shoqëruar me piano këndoja, ata emocionoheshin. Babai im qante gjithmonë, sa herë më shikonte në skenë”. Këngëtarët e ardhur nga Italia, veç muzikës duket se janë të apasionuar pas letërsisë dhe artit skenik në përgjithësi. Kështu mexosopranoja Elena Bresciani dhe baritoni Francesco Landolfi janë diplomuar gjithashtu në letërsi. Të tjerë e kanë nisur nga koret polifonike, apo të shkollave, të tjerë e kanë të trashëguar dhuntinë nga prindërit e gjyshërit.
Për dirigjentin e këtij audicioni, austriakun Claudio Buscher, ata janë të gjithë zëra brilant dhe nuk do të jetë e lehtë të zgjidhet më i miri. Sot në mbrëmje gara do të jetë e fortë. Gjithçka do të vijë e kuruar nën kujdesin e producentes Zana Çela, njëkohësisht prezantuese, regjisorit Pali Kuke dhe skenografit Bashkim Zahaj.
Pjesëmarrësit
Dimitrinka Raycheva – soprano - Bullgari
Maria Erlacher – soprano –Austri
Clara Calanna – mezzosoprano- Itali
Elena Bresciani – mezzosoprano - Itali
Anna Moroz – mezzosoprano – Ukrainë
Michele Trovato – soprano - SHBA
Francesco Landolfi – bariton – Itali
Laurence Broderik – tenor – SHBA
Alin Anca – bas - Rumani
Maria Milolidaki – soprano - Greqi
Miguel Angel Labato – tenor – Spanjë
Dorina Selimaj – soprano - Shqipëri
Evis Mula – soprano – Shqipëri
Aranit Hoxha – tenor – Shqipëri
Olti Marku – bariton – Shqipëri
Armand Likaj – Bariton – Shqipëri
Riald Ymeri – tenor – Kosovë
Besa Llugiqi – soprano – Kosovë
Else Linde Buitenhuis – soprano - Holandë
Shqiptarët në garë
Mes 20 konkurrentëve 6 janë nga Shqipëria, ndërsa dy nga Kosova. Disa prej tyre tanimë janë të afirmuar në skenën kombëtare të Teatrit të Operës dhe Baletit, por festivali “Marie Kraja” është një sfidë. Producentja Çela u shpreh mjaft e kënaqur që mes 20 konkurrentëve një numër i konsiderueshëm vjen nga Shqipëria e Kosova, çka dëshmon traditën e mirë të shkollës sonë. Ata janë Dorina Selimaj soprano, Evis Mula soprano, Aranit Hoxha tenor, Olti Marku, Shqipëri, Armand Likaj bariton, Riald Ymeri tenor, Besa Llugiqi soprano.