Tirana do fitore me sytë nga Kavaja
Java e 10-të e Kategorisë superiore do të startojë sot në orën 13:30 në stadiumin “Loni Papuçiu” të Fierit, me ndeshjen Apolonia-Kastrioti. Ndërkohë, po sot do të luhen, por në orën 14:00, Tirana-Shkumbini dhe Gramozi-Teuta. Një ditë më pas, të dielën, do luhen Flamurtari-Laçi dhe Skënderbeu-Vllaznia, ndërsa mbyll këtë javë supersfida, Besa-Dinamo. Sikurse duket edhe nga kalendari përkatës, epiqendra do të jetë Kavaja, e cila ka fatin se do të jetë njohur me të gjitha ndeshjet e tjera, të zhvilluara të shtunën dhe të dielën. Në kryesfidën Besa-Dinamo, vendasit do të synojnë patjetër fitoren, për të kompensuar disi diferencën e krijuar me blutë e vendit të parë, në kuotën e 5 pikëve. Thënë ndryshe, do të bëjnë çmos t’i shkaktojnë Dinamos humbjen e parë në këtë kampionat, gjë të cilën s’ia ka bërë askush deri më tani. Një “rekord” të tillë e kishin edhe vetë kavajasit, deri javën e shkuar, por ua theu Kastrioti në Krujë, teksa e mundi skuadrën e Shpëtim Duros 1-0, me një gol të shënuar nga Abazaj në minutat shtesë. Sidoqoftë, më shumë se të gjitha ndeshjet e deritanishme, ballafaqimi direkt i së hënës do të tregojë sa vlejnë realisht të dyja skuadrat kryesuese. Nëse Dinamo fiton, atëherë “arratiset” vërtet, duke u bërë thuajse e pakapshme nga ndjekësit, nëse ndodh e kundërta, fiton Besa, gjithçka hapet. Këtu kemi parasysh edhe zgjimin e Tiranës në ndeshjet e fundit. Fitorja e javës së kaluar e bardhebluve në Shkodër ka krijuar premisa mjaft pozitive që Tirana të arrijë kreun.