E Shtunë, 31 Tetor 2026

Teksas, masakër në fortesën ushtarake, 13 të vdekur

 

Një major i ushtrisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Malik Nidal Hasan, më profesion psikiatër, ka hapur zjarr dje papritur në qendrën “Fort Hook” në Teksas. Trembëdhjetë ushtarë kanë humbur jetën dhe rreth 30 të tjerë janë plagosur në “Soldier Readiness Facility”. Por autori i ngjarjes, Malik, është ende gjallë. Rreth gjashtë orë pas ngjarjes së ndodhur gjatë natës në SHBA, kur psikiatri vrasës ishte deklaruar i vdekur në të gjithë shtypin e botës, koloneli Terry Lee tha se Malik është gjallë dhe ndodhet në duart e policisë. Ai ka zbuluar edhe arsyen e tragjedisë në bazën ushtarake: “Nuk donte të ikte në Irak”. Miqtë e tij tregonin se kishin dëgjuar për këtë. 39-vjeçari amerikan me origjinë jordaneze, ishte fiksuar: Barak Obama do të na nxjerrë jashtë prej këtej, Presidenti do të na nxjerrë jashtë nga lufta. Pasi kishte kaluar gjashtë vite në “Walter Reed”, spitali ushtarak më i famshëm i Amerikës, ai ishte shpërngulur në “Fort Hood”, së fundmi, por kjo gjë që nuk i kishte pëlqyer aspak. Vetëm duke përdorur dy pistoleta, ai ka hapur zjarr kundër ushtarëve, civilëve e policëve. Sipas gjeneralit Robert Skales, akti ishte një ekzekutim, vrasësi ka vepruar vetëm dhe nuk ka pasur bashkëpunëtorë. Ndodhi në qendrën mjekësore ku zhvilloheshin kontrollet e fundit të ushtarëve para se të dërgoheshin në luftë. Ndërsa qëllonte ka bërtitur “Allah Akbar”, Allahu është i madh, duke menduar se do të vdiste edhe vetë, por një ushtar i ka qëlluar, duke i dhënë fund tmerrit. Barak Obama e vlerësoi ngjarjen si një “shpërthim të tmerrshëm të dhunës”. Alarmi është vendosur në të gjitha bazat ushtarake amerikane. Shtëpia e Bardhë në kontakt me Pentagonin ka mobilizuar antiterrorizmin. Kongresi amerikan mbajti një minutë heshtje në nder të viktimave. Guvernatori i Teksasit, Dik Perri, ka urdhëruar që flamujt të qëndrojnë në gjysmë shtizë. Edicionet e lajmeve kanë pasur rritje shikueshmërie. Ndërkohë që të gjithë qytetarët janë trembur nga komentet e zhvillimit të terrorizmit dhe sulmeve të tilla nga brenda vendit, Presidenti Obama ka ftuar të mos nxirren konkluzione të përshpejtuara mbi ngjarjen. FBI-ja e ka përjashtuar nga hetimet pistën e terrorizmit në “Fort Hood”, baza ushtarake më e madhe në botë, vendi ku qëndrojnë ushtarët që duhet të nisen për në Irak dhe Afganistan. Struktura e saj u ngrit gjatë Luftës së Dytë Botërore derisa u transformua në një qytet të vërtetë me 30 mijë banorë, ushtarë dhe familjet e tyre, qendër tregtare, teatër, fushë softbolli. Faizul Khan, ish-imam i xhamisë në Silver Spring, tha se e kujton mirë djalin që ankohej se nuk po gjente grua, por askush nuk e priste të ndodhte kjo tragjedi prej tij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›