E Hënë, 2 Nëntor 2026

Asgjësohen 11 kilogramë heroinë

31/05/2005  Dje është ekzekutuar vendimi i gjykatës për djegien e drogës, që i është kapur Edvin Balliut

DURRES - Është asgjësuar në Durrës një sasi e madhe droge, e cila i është sekuestruar, vitin e kaluar në portin e Durrësit, një shtetasi nga kryeqyteti, që po tentonte ta trafikonte në vendin fqinj.

Gjithsej 11 kg e 226 gramë drogë janë ruajtur gjatë kësaj kohe në mjediset e magazinës së Drejtorisë së Policisë së Qarkut Durrës, ndërkohë që 19 pakot janë asgjësuar dje, në prani të një komisioni. Kjo sasi droge e djegur dje ka vënë para drejtësisë autorin e trafikimit, Edvin Balliu. Tiranasi Balliu është arrestuar nga blutë e komisariatit të portit, pikërisht në kohën që ai së bashku me automjetin, ku ishte strehuar droga e llojit heroinë, ishte futur në sheshin e trageteve, me destinacion veriun e Italisë.

Për shkak të sasisë së madhe si dhe mundësisë së ekzistencës së një rrjeti të organizuar trafikantësh e përdoruesish droge, çështja në ngarkim të Balliut i ka kaluar Prokurorisë së Krimeve të Rënda. I riu nga Tirana ka qëndruar plot një vit nën hetim, me akuzën e ushtrimit të trafikut të lëndëve narkotike dhe vetëm pasi Gjykata e Krimeve të Rënda e ka shpallur atë fajtor ka nisur edhe procedura për asgjësimin e provave materiale, të cilat i kanë shërbyer prokurorisë për të ngritur akuzën ndaj të riut. Gjykata e Krimeve të Rënda e ka shpallur fajtor 28-vjeçarin, duke e dënuar atë me 9 vite dhe 8 muaj burg, ndërkohë që Balliut dhe avokatit të tij i është lënë kohë për apelim.

Përfundimi i të gjitha procedurave ka pasuar me vendimin e të njëjtës gjykata për ekzekutimin e lëndës narkotike, e cila, pasi është transferuar nga magazinat në mjediset e policisë, për t’u ripeshuar, ka rezultuar se kishte marrë lagështi, duke tjetërsuar edhe ngjyrën.

Gjykata ka vendosur që heroina të asgjësohet, duke u mbështetur në ligjin nr.8750 të vitit 2001 “Për lëndët narkotike psikotope”, ku theksohet e gjithë procedura deri në asgjësimin e plotë, ndërsa për teknologjinë dhe vendin e ekzekutimit të vendimit të gjykatës ka vendosur eksperti i Ministrisë së Shëndetësisë.

Droga ka përfunduar në plehrat e Porto Romanos dhe në vendin ku është djegur heroina kanë qenë të pranishëm të gjithë anëtarët e komisionit, të përbërë nga përfaqësues të Prokurorisë së Kimeve të Rënda, Gjykatës së Krimeve të Rnda, Ministrisë së Rendit Publik, Ministria e Shëndetësisë dhe oficerë të policisë gjyqësore dhe ata të zyrës rajonale të luftës kundër drogës. E gjithë procedura që ka nisur me nxjerrjen e drogës nga magazinat dhe deri në djegien e saj është ndjekur edhe nga një ekspert i misionit PAMECA.

Gjatë vitit të kaluar janë sekuestruar plot 47 kg e 700 gramë drogë të llojit heroinë, por kjo është e para sasi që digjet në mënyrë publike në prag të fushatës elektorale

Viti 2004

Droga e bllokuar,

personat e arrestuar

9 mars 2004/ Donato Greco

13 kg e 300 gr

20 mars 2004/ Flaton Jonuzi

16 kg e 6 gr

9 prill 2004/ Habib Magolli

5 kg e 700 gr

26 prill 2004/ Edvin Balliu

11 kg e 226 gr

16 qershor 2004/ Fatos Llaftiu

1 kg e 478 gr

26 prill 2004/ Një vit më parë

Bllokimi i drogës

Mbrëmjen e 26 prillit 2004 në pikën e kontrollit të automjeteve, policia e komisariatit të portit të Durrësit ka bllokuar 11.226 gr drogë të llojit herionë, e futur në 19 pako. Për ta ruajtur nga nafta, transportuesi e kishte mbështjellë krahas letrës prej natribani edhe me plasmas, ndërkohë që brenda secilës pako kishte tullumbacë për amballazh si dhe pakot kishin të shkruar “Gëzuar 2004”.

Droga është kapur në automjetin tip “Nissan Almera”, me targa BM 172 FH, me pronarë tiranasin Edvin Balliu, emigrant në Itali. Sipas policisë, ai do të lundronte me tragetin e linjës Durrës-Ankona, por është arrestuar në flagrancë.

Kanë qenë shërbimet e fshehta dhe agjentë të sektorit të luftës kundër drogës, të cilët kanë bashkëvepruar në shkëmbimin e informacioneve dhe pasi e kanë lejuar Balliun të futet në sheshin e trageteve kanë rrethuar automjetin, ku është gjetur droga në serbator.

Për shkak të sasisë së madhe të drogës së sekuestruar si dhe dyshimeve për ekzistencën e një rrjeti trafikantësh italo-shqiptar, çështja i ka kaluar Gjykatës së Krimeve të Rënda, e cila e ka dënuar me afro 10 vite burg.

Gjykata, vetëm një dënim për drogën

“Nuk mësuam destinacionin dhe as bashkëpunëtorët”

Përfaqësuesi i Gjykatës së Krimeve të Rënda, i pranishëm në këtë komision, Enio Haxhimihali, ka thënë se hetimet e policisë gjyqësore nuk ka mundur të mësojnë se cili ka qenë destinacioni i drogës. Edvin Balliu do të udhëtonte drejt Ankonës, por bileta e tragetit në dorën e tij nuk ka mundur t’i jap organit të akuzës fakte për destinacionin e heroinës. E pamundur për akuzën dhe Gjykatën e Krimeve të Rënda ka qenë edhe zbulimi i rrjetit me të cilët bashkëpunonte Balliu.

“Gjykata ka dënuar vetëm Edvin Balliun për trafikim të lëndës narkotike, ndërsa nuk është mësuar vendi ku do të shkonte droga si dhe as emrat e personave të implikuar si bashkëpunëtor të tij”, ka thënë Haxhimihali.

Në të njëjtën magazinë të policisë mësohet se gjendet edhe sasi tjetër e bllokuar vitin e kaluar, por që thuhet se ajo do të duhet të presë vendimin e gjykatës, pasi autorët e akuzuar për transportimin e saj ende nuk kanë përfunduar punë me drejtësinë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›