Marina kineze, stërvitje në Paqësor

Marina kineze në ditët e ardhshme do të kryejë stërvitje në Oqeanin Paqësor, në një moment kur tensionet lidhur me sovranitetin detar janë rritur.
Ministri kinez i Mbrojtjes deklaroi se stërvitjet do të jenë rutinë dhe nuk synojnë të tregojnë forcën ndaj ndonjë vendi të caktuar.
Kina është bllokuar në një debat territorial me vende të ndryshme dhe Shtetet e Bashkuara kanë bërë së fundmi një seri deklaratash për rritjen e pranisë së tyre në rajon.
Një zëdhënës i Pentagonit deklaroi se SHBA nuk kanë asnjë problem me stërvitjen detare kineze. Kapiteni John Kirby u shpreh se Kina ka të drejtën e saj për të bërë stërvitje në mënyrat që asaj i duken të dobishme.
Disa ditë më parë, autoritetet amerikane vlerësuan qëndrimin e Pekinit lidhur me cështjen territoriale të Detit të Kinës.
Njoftimi për këtë stërvitje u bë në orët e vona të së mërkurës, në faqen zyrtare të internetit të Ministrisë së Mbrojtjes kineze.