E Diel, 1 Nëntor 2026

Egjipt, ushtria kërkon ndjesë për martirët

Të paktën 30 persona të vrarë është bilanci tragjik i deritanishëm, i shënuar në përplasjet e ditëve të fundit në sheshin e famshëm Tahrir në qendër të Kajros, mes forcave të ushtrisë egjiptiane dhe protestuesve.

Këtë fakt e ka bërë publik vetë ministria e Shëndetësisë.

Edhe nata e shkuar ishte një tjetër natë e dhunshme në sheshin e revolucionit, i kthyer për së dyti, në arenën e protestave, këtë herë kundër Këshillit Suprem të Forcave të Armatosura.

Edhe pse ushtarakët ofruan kalimin e procesit të transferimit të pushtetit tek autoritetet civile, demonstratat popullore kanë vazhduar në rrugët e Kajros, duke shënuar qindra të plagosur.

Mijëra vetë kanë dalë në sheshin simbol të revoltës, ndërsa ushtria i ka kërkuar ndjesë popullit për viktimat.

Këshilli Suprem i Forcave të Armatosura përmes një komunikate të publikuar në Facebook, shprehu dhimbjen dhe kërkoi ndjesë për vdekjen e martirëve të rënë gjatë përleshjeve të ditëve të fundit, në sheshin Tahrir të Kajros.

Ndërkohë mësohet se në protesta nuk po marrin pjesë përfaqësuesit e një grupimi të njohur si “Vëllezërit Muslimanë egjiptianë”.

Sipas mediave, pjesëmarrja e tyre në protestat kundër juntës ushtarake do të shkaktonte një shpërthim dhe dalje nga binarët të dhunës e vandalizmit në vend.

Lajmin për mospjesëmarrjen e tyre e ka bërë publik një përfaqësues i kësaj lëvizjeje islamike përmes një komunikate për mediat, ku kuptohet edhe frika nga një grusht shteti kundër parimeve, që frymëzuan revolucionin e 25 janarit, që rrëzoi nga froni ish-presidentin egjiptian Hosni Mubarak.

Protestuesit egjiptianë kanë paralajmëruar një protestë të madhe për nesër, përpara mbajtjes së zgjedhjeve legjislative të lajmëruara për të hënën në 28 nëntor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›