E Shtunë, 31 Tetor 2026

Real, Kaka mund të largohet. Murinjo ngulmon për Karvajon

ëzil, alternativë për brazilianin, Perez preferon Tiago Silvën në mbrojtje, vetofrohet Ashli Kol

Për momentin është thjesht një spekulim, por gjithçka mund të konkretizohet deri në fund të merkatos së verës. Pas një sezoni zhgënjyes të karakterizuar nga dëmtime të shumta, në të cilin Reali i Madridit e mbylli pa asnjë titull, Rikardo Kaka mund të largohet nga “Santiago Bernabeu”. Duket se nxjerrja e mesfushorit brazilian në merkato ka marrë edhe bekimin e Zhoze Murinjos. Sipas britanikes, “Sunday Times”, drejtuesi i stolit “merengue” ka pranuar që klubi të shesë gjysmën e kartonit të lojtarit, në mënyrë që të sigurohen fonde të tjera, me të cilat Reali do të jetë edhe më agresiv në merkato. Kaka kërkohet nga shumë skuadra, mes të cilave spikatin çelsi i Ançelotit dhe Mançester Siti i Mançinit. Këta të fundit kanë kohë që “flirtojnë” me 28-vjeçarin, madje ishin fare pranë blerjes së tij nga Milani, gjatë janarit të kaluar. Madrilenët kanë përcaktuar edhe zëvendësuesin ideal të Kakasë, i cili është Mesut ëzil. Megjithatë, mesfushori me origjinë turke, që shkëlqeu me Gjermaninë në Botërorin 2010, ndërpreu entuziazmin e spanjollëve, duke lënë të kuptohet se do të qëndrojë te Verder Bremen. Talenti synon të qëndrojë në Bundesligën gjermane edhe gjatë sezonit të ardhshëm dhe të respektojë deri në fund kontratën që ka me klubin gjerman. “Klaus Alofs (menaxheri i përgjithshëm i Verderit) ka thënë se nuk kanë ardhur oferta, shpjegoi ëzil. Personalisht nuk më ka kontaktuar askush dhe për mua vlejnë vetëm faktet. Realiteti është se kam kontratë me Verderin: e kam të qartë situatën për 12 muajt e ardhshëm. Më pas nuk mund ta di se çfarë do të ndodhë”. Lojtari nuk do ta rinovojë kontratën me skuadrën e Bundesligës, ndërsa në fund të sezonit ai do të largohet me parametër zero.

Blerja e lojtarit tjetër të përfaqësueses gjermane, Sami Khedira, nuk e ka mbyllur merkaton e Realit të Madridit. Gjigandëve spanjollë u mungon edhe një lojtar me peshë dhe eksperiencë në mbrojtje. Situata e komplikuar rreth brazilianit të Interit, Maikon, ka bërë që Murinjo të përqendrohet te një mbrojtjes qendre. Bëhet fjalë për të preferuarin e tij, Rikardo Karvajo, por që cilësohet tepër i shtrenjtë (25 milionë euro) për moshën që ka (32 vjeç). Në anën tjetër, si përforcim për repartin difensiv, presidenti i Realit, Florentino Perez, preferon Tiago Silvan. Megjithatë, Milani as që ka ndërmend ta shesë mbrojtësin brazilian. Ndërkohë, një tjetër mbrojtës mjaft i njohur i është vetofruar Realit. Bëhet fjalë për Ashli Kol: sipas mediave angleze, 29-vjeçari ka zhvilluar një bisedë 20-minutëshe me trajnerin Ançeloti, duke i kërkuar të largohet nga “Stemford Brixh”. Shkak janë bërë gazetat skandalistike, të cilat e kanë vënë nën shënjestër për jetën personale. Dëshira e Kol është të bashkohet me Murinjon në Madrid.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›