Markel e Cameron s’pajtohen për buxhetin e BE-së

Përderisa, kryeministri britanik Cameron insiston në atë që buxheti duhet të shkurtohet, kancelarja gjermane Markel ka thënë se buxheti duhet të rritet edhe më shumë.
"Do të ishte gabim që buxheti të rritej, në një kohë kur e kemi të vështirë të marrim vendime të vështira ekonomike, si këtu në Britani ashtu edhe në të gjitha vendet e tjera në lidhje me sjelljen e buxheteve kombëtare drejt balancës. Gjithsesi, do të përpiqemi të gjejmë një zgjidhje të mirë për taksapaguesit britanikë, të cilën të mund ta paraqes në Parlament e përballë gjithë popullit",-u shpreh Cameron.
"Po kërkojmë një zgjidhje e cila të jetë e pranueshme për opinionin publik, edhe në Gjermani. Tashmë është shumë e rëndësishme ajo që do të bëjmë me buxhetin e BE-së. Kemi parë se jo të gjitha fondet janë shfrytëzuar me efikasitet, në këto vitet e fundit, por Evropa ka nevojë për inovacion, të investojë për të ardhmen e saj, kështu që ne duhet t'i kemi parasysh këto aspekte. Debatet do të vazhdojnë, në frymën e partneritetit dhe miqësisë",-tha Merkel.
Gjermania i ka komentuar edhe qëndrimet e fundit të zyrtarëve anglez të cilët kanë thënë se mund të tërhiqen nga BE-ja. Merkel ka dhënë një mesazh të drejtpërdrejtë për popullin e Britanisë, duke thënë se njerëzit e këtij ishulli të mrekullueshëm nuk do të jenë më të lumtur, nëse mbeten të vetëm në këtë botë. Reagimi i saj erdhi pasi disa eurodeputetë i kërkuan Merkel t'ia bëjë të qartë Cameron, se ka ardhur koha për një divorc të thjeshtë e miqësor të Brukselit me Britaninë, e cila është krejtësisht kundër rrymës për një integrim më të madh të Bashkimit Evropian, që promovohet nga gjermanët.