E Shtunë, 31 Tetor 2026

Marksizmi në konceptin materialist dhe historik të Marksit

Nga Eljan TANINI
Së pari, kontributi filozofik më i pranuar i Marksit është popullarizimi i konceptit të materializmit historik, i cili thekson se situata social-ekonomike duhet parë historikisht dhe që historia e shoqërive njerëzore duhet të fillojë nga baza materiale, ekonomike, e ngjarjeve historike. Më pak i saktë është termi materializëm dialektik, që është përdorur ca si shumë rëndom,  në katedrat shqiptare. Por të mos ndalemi këtu. Sa për metodën historike, ajo është super- popullore ende sot, megjithëse nuk ka për baba vetëm Marksin. Materializmi nga ana tjetër është debatuar më shumë, psh; nga Veber-i  që argumentonte të kundërtën e Marksit në Etikën Protestante, domethënë që nga idetë lind realiteti material, e jo nga realiteti material ai social. Por pranohet gjerësisht që interesat ekonomike influencojnë politikën dhe shoqërinë. Mjafton të shikosh globalizimin fillimisht si koncept ekonomik e pastaj social, apo përhapjen e koncepteve neoliberale ekonomike të lidhura ngushtë me interesat e kompanive shumëkombëshe. Gjithashtu ka vlerë për kritikën bashkëkohore koncepti i një sistemi  ekonomik që ndikon pozitën e klasave dhe grupeve, e si rrjedhojë individëve. Në këtë drejtim, marksizimi ka pasur ndikim pozitiv edhe mbi zhvillimin e feminizimit, i rëndësishëm është  edhe  koncepti i fetishizimit që Veber-i e quajti" pjesë  të kafazit të hekurt", apo që Valter Benjamin e analizoi bukur dhe që bota vazhdon ta vuajë. Duke përdorur materializmin historik mbi analizën e tij del se idetë e këtij të fundit për Marksin bazohen se tepërmi në dështimin material të komunizmit të aplikuar, marksist ose jo. Sepse  marksizmin e kemi njohur në një kontekst tjetër historik , në katedrat perëndimore e jo në klasat e marksizëm-leninizmit, njihet shumë më ndryshe se tek ne. Për vende të ndryshme dështimi historik vjen me emra të tjerë përgjegjësish; Revolucioni lidhet me Leninin, dhe terrori komunist me Stalinin. Fantazma të vjetra që i përkasin një brezi të caktuar më shumë se diskutimit ne fjalë, i shtohet edhe çështja antropologjike. Le të ndalemi për pak në disa pjesë të vogla të cilat bëjnë burimin, dhe si shihet nga antropologjia ky lloj sistemi. Antropologu amerikan Sahlins Marshall, sot pedagog në universitetin e Chikagos, tregon formën dhe materien e gjithë kësaj ideologjie. Sa për luftën e klasave, flitet sërish nga një kontekst i caktuar. "Class struggle", per Sahlins Marshall është përkthyer shumë trashë me termin "luftë klasash", sepse struggle nuk ka të njëjtën egërsi me fjalën luftë ( gjë që të bën të mendosh që e kundërta është zgjedhur nga forma të ndryshme regjimi). Kjo përplasje apo konflikt klasash është përshkruar nga Marksi si karakteristikë e historisë, e jo si metodë për të shpërndarë marksizmin apo ndonjë budallallëk tjetër i ngjashëm. Në fjalorin jo marksist paraleli i "class struggle" ,është "inresed groups", që pranon më së miri ekzistencën e klasave ekonomike; si në veprat e Marksit; EKONOMIA POLITIKE MODERNE, pranon klasat "capital dhe labour". Megjithëse ajo e para quhet shpesh "industry". Duhet theksuar se "class struggle" nuk parashikohej si detyrimisht e dhunshme, dhe kjo ka bazë historike psh; sindikatat. Sahlins kritikon klasat e Marksit sepse ai mbështjell bashkë klasat ekonomike me atë politike, pa dalluar midis tyre, duke rrezikuar të mos shoh përtej atyre  që zotërojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë kapitalin si klasë shtypëse. Për Marksin udhëheqja nuk është klasë, ndërkohë që në vendet komuniste po të analizosh klasat, klasë politike del së pari si klasë në konflikt me masat punëtore. Këtë konflikt të shoqërisë komuniste Marksi nuk e kishte parashikuar sepse materializmi i tij e kufizonte kuptimin e pushtetit në pushtet thelbësisht ekonomik. Sahlins vazhdon të kritikojë, ai thotë se kritikën marksiste mund ta përdorim lehtë mbi vetë Marksin, kur bëhet fjalë për konceptin e tij për botën  e pa zhvilluar . Me pak fjalë Marksi jetonte në kontekstin historik të imperializmit anglez, ku njohuritë për vendet e tjera e sidomos të së ashtuquajturës  "botë e tretë", kufizoheshin nga ideologjia e superioritetit  të perëndimorëve, e kryesisht të anglezëve. Sahlins përdor termin që Marksi ushqehet nga dhe ushqen idetë e superioritetit shoqëror bazuar në superioritetin ekonomik, sepse ai përshëndet  pushtimin, dhe shtypjen e indianëve nga anglezët, si një fenomen thelbësisht pozitiv, pasi ai ka arritur të shkatërrojë tradicionalizmin jokapitalist indian, pasi po pengonte në mos zhvillimin e vendit. Marksi sheh te shtypja dy mundësi: e para akumulimin e kapitalit pa të cilin nuk mund të vijë komunizmi dhe e dyta zhvillimin e ndërgjegjes së klasave që çon në revolucionin komunist. Duke arritur deri në hartën kulturore Sahlins bën një relativizëm gjë të cilën e sjell në fenomenin e ditëve tona të sjelljes  ekonomike e sociale është shumë më i rrezikshëm. Në kontekstin e sotëm Afrikan, disa mendje të ndritura bëjnë thirrje për kolonizimin e ri të Afrikës, meqë afrikanët qenkan kaq të paaftë të qeverisin veten e tyre. Del qartë se ai analizon shtypjen duke parë anën pozitive dhe negative. Ndër problemet e fundit që Sahlins Marshall shtron duke i dhënë vetë përgjigje është se; -A besojmë se në komunizëm, nëse ai do të ndërtohej sipas modelit marksist njerëzit do të punojnë sipas mundësive e do të marrin sipas nevojave? Dhe përgjigjen e jep; -Më duket pak e vështirë por jo e pa mundur nëse një shoqëri harrin një zhvillim homogjen filozofik...Përmasat ndërkombëtare e komplikojnë ekuacionin. Sidoqoftë kjo shprehje e përdorur nga Marksi duhet parë brenda kontekstit të një shoqërie imagjinare ultra-teknologjike, ku njeriu nuk është skllav i punës por punon pak a shumë me dëshirë.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›