Marku: Te Dinamo më mban vetëm një projekt serioz
Mbrojtësi Antonio Marku pranon se mendon më shumë ëpr tu larguar nga blutë dhe se destinacioni i tij i ardhshëm do të jetë skuadra kavajase
Me rënien e Dinamos në Kategorinë e Parë, kuptohet që largimet janë të pashmangshme. Shumë futbollistë të kësaj skuadre,të cilët janë cilësorë dhe kanë përvojë në Superligë, duke parë rrjedhën e ngjarjeve të blutë, kanë vendosur që të gjejnë një strehë të re për kampionatin e ardhshëm.
Deri tani kemi disa largime zyrtare, siç janë Bekim Kuli, Roland Peqini, Besmir Arifaj, Matko Djarmati dhe Bruno Dita, por edhe të tjerët janë në këtë rrugë. I fundit që po bën gati valixhet është mbrojtësi shkodran, Antonio Marku.
Paraqitje e mirë që 20-vjeçari bëri gjatë sezonit të kaluar në Superligë me fanellën e Dinamos, ka bërë që për të interesohen drejtuesit e disa skuadrave. Ndoshta këta drejtues duan të shfrytëzojnë edhe gjendjen e vështirë, në të cilën ndodhen blutë e kryeqytetitprej kohësh.
Vetë futbollisti, për Sporti Shqiptar pranon se nuk mund të qëndrojë te Dinamo dhe se është në bisedime me Besën, që është kthyer në elitën e futbollit shqiptar. Te Dinamo situata mbetet mjaft e paqartë dhe këto kushte jam detyruar të shoh ndonjë mundësi tjetër për ta vazhduar karrierën.
Kam pasur disa oferta nga klube të ndryshme të Superligës. Dhe mund të them se jam më pranë Besës, sepse drejtuesit e saj më kanë bërë një ofertë zyrtare dhe jam duke e menduar seriozisht një transferim të mundshëm në qytetin e Kavajës.
Nuk ka ende asgjë zyrtare, por mendoj se është një mundësi e mirë, sepse do të luaj përsëri në Superligë. Qëndrimi te Dinamo bëhet I mundur vetëm, nëse drejtuesit e saj bëjnë organizimin e duhur të skuadrës dhe kanë objektiva të qartë për sezonin e ardhshëm.
Nëse do të ketë një project serioz, që do të bazohet te një skuadër pretendente për ngjitjen në Superligë, mund ta rishoh pozicionin tim, sepse Dinamo më dha shansin dhe më afirmoi si futbollist profesionist, – tha mes të tjerash Marku, i cili vjen nga ekipet zinxhir të klubit blu.
Për të janë interesuar gjithashtu Tirana dhe Kastrioti, sidomos ky i fundit, pas emërimit të trajnerit Artan Mërgjyshin, i cili e njeh mirë Markun, pasi sezonin e fundit ka drejtuar Dinamon. Mbrojtësi do të marrë këto ditë vendimin përfundimtar për skuadrën, që do të përfaësojë sezonin e ri, ku shanset më të mëdha janë për Besën.
