E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gramozi, problemi kryesor mbetet likujdimi financiar

Nga Kristi Lilo

Futbollistët e sezonit të kaluar presin të shpërblehen për mundin e derdhur në fushë gjatë fazës së dytë, por deri tani nuk ka asnjë lëvizje në këtë drejtim

Edhe pse gjatë gjithë kësaj kohe po flitet shumë për ringritjen e ekipit të Gramozit, asgjë konkrete nuk po shihet nga tifozëria kolonjare. Drejtuesit e klubit dhe të bashkisë së qytetit kanë pasur në plan, që nga mesi i muajit korrik të bëjnë disa lëvizje, por kjo kohë po afron dhe nuk po shihet asgjë pozitive në horizont.

Të gjithë lojtarët janë në pritje të ndonjë lajmi nga kryebashkiaku Ali Laho. Tifozët presin që këtë sezon ekipi i futbollit të ketë mbështetje nga donatorë të fuqishëm, nëse do të pretendohet rikthimi në Kategorinë e Parë.

Deri në këto moment, përveç bashkisë, asnjë emër nuk është publikuar, ndërkohë që nuk dihet se kush do të jetë në drejtim të ekipit për sezonin e ri futbollistik. Parashikohet që disa çështje të rëndësishme të qartësohen gjatë kësaj jave, por ajo që është më e rëndësishmja ka të bëjë me anën financiare.

Pra, si do të bëhet likujdimi financiar i lojtarëve që mbyllën sezonin e fundit. Në fakt, askush nuk po kujtohet për këtë gjë, edhe pse të gjithë lojtarët presin të shpërblehen për djersën që kanë derdhur gjatë fazës së dytë të kampionatit. Para se të hidhen hapat për sezonin e ardhshëm duhet mbyllur pikërisht kjo çështje nga drejtuesit e ekipit kolonjar.

Kryebashkiaku Laho ka kërkuar ndihmën e biznesmenëve vendës për sezonin e ardhshëm, me qëllim që Gramozi të ketë një ekip cilësor, që të pretendojë kthimin në Kategorinë e Parë, por kjo duket e vështirë për tu realizuar, sepse, nëse nuk ka garanci financiare, nuk mund të flitet për cilësi.

Më e keqja është se në këto kushte do të largohen të gjithë titullarët e sezonit që lamë pas dhe do të ishte e pamundur që të ndërtohej një ekip nga e para. Sidoqoftë, drejtuesit e Gramozit mund të gjejnë ndonjë burim financiar, që do ta ndihmonte këtë ekip për tu shkëputur pas një sezoni nga kategoria inferiore.

 

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›