E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përgatitjet me top zbardhin merkaton e Partizanit

Nga ILIR CARA

Të kuqtë për mungesë fushe deri me 14 korrik do të vijojnë nga Liqeni, pastaj zbresin në ish-kompleksin Dinamo. Vetëm atëherë do të vijnë lojtarët e kontaktuar

Përgatitjet e Partizanit të sezonit të ri kanë nisur që nga e hëna dhe, nën drejtimin e trajnerit Nikolin Çoçlli, futbollistët ka kryer vetëm seanca atletike nga Kodrat e Liqenit. Edhe për disa ditë të kuqtë janë të kushtëzuar për të vijuar me këtë program stërvitor, pasi nuk kanë terren ku të ushtrohen me top.

Trajneri Çoçlli ka pasur në dispozicion thuajse të njëtin grup lojtarësh me atë të Kategorins së Dytë. Distancimi nga Ministria e Mbrojtjes ka bërë që Partizani të humbasë ambientet stërvitore, që kishte tek ish-Shkolla e Bashkuar.

Gjithsesi, aksionari Paro Laçi ka arritur një akord me drejtuesit e ish-kompleksit Dinamo për të vijuar përgatitjet, por për efekt ngarkese që ka kjo qendër, pasi po stërviten disa ekipe, të kuqve u vjen radha pas 14 korrikut. Mendohet se lojtarët e kontaktuar nga drejtuesit do ti bashkohen Partizanit pikërisht në momentin,kur ekipi do të zbresë në fushë.

Pra, merkatoja e Partizanit do të nisë të materializohet në momentin që do të nisë përgatitjet me top. Mësohet se lojtarët e kontaktuar nuk duan të nxitohen, pasi duan të jenë të sigurt, kjo për sa i përket anës financiare.

Aksionari Laçi ka pohuar se për të fituar besimin e humbur prej 4 vitesh, në merkaton aktuale do të ndiqet një strategji e re, ku lojtarët që do të nënshkruajnë do të marrin në dorë rreth 30-40 % të shumës.

Merkato Gjatë këtyre ditëve kanë qarkulluar shumë emra si objektiva të merkatos së Partizanit, madje pjesën më të madhe të tyre i ka konfirmuar aksionari Paro Laçi, që po zhvillon bisedimet me lojtarët në fjalë.

Nga emrat e dalë shikohet se merkatoja e kuqe është përqendruar në Gjirokastër. Përpos dyshes sulmuese, Nora-Rraboshta, si dhe mbrojtësit Indrit Hithi, aksionari Laçi kërkon të bëjë pjesë të Partizanit edhe një tjetër futbollist të Luftëtarit, Jetmir Ninon.

Përpos këtyre emrave edhe shumë të tjerë mbeten në pritje të zhvillimeve, pasi ka futbollistë me eksperiencë, që duan të veshin fanellën e kuqe, por më parë duan garanci financiare.

 

 

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›