Nis “Lëvizja për Reformimin e PS-së”
Aristir Lumezi
Në Partinë Socialiste nis “Lëvizja për Reformimin e partisë”. Deputetët oponentë të Edi Ramës, Arben Malaj, Ben Blushi, Kastriot Islami, Marko Bello, Andis Harasani dhe anëtarë të Asamblesë Kombëtare, por dhe delegatë të kongresit nisin që sot një lëvizje që ka si qëllim legalizimin e mendimit ndryshe, ndryshimet statutore dhe futjen e PS-së në Parlament. Një nga protagonistët e kësaj Lëvizje, Arben Malaj, tha dje se në thelbin e saj kjo lëvizje do të ketë modernizimin e partisë. “Lëvizja për Mendimin Ndryshe në Partinë Socialiste, ka në thelbin e saj modernizimin e Partisë Socialiste, ku momenti i parë është një opozitë brenda institucioneve, që në thelbin e saj do të thotë edhe jo bojkotit”, tha Malaj. Sipas anëtarit të kryesisë socialiste, sot do të zhvillohet takimi i parë në kryeqytet, ku dhe do të jepen tiparet e kësaj lëvizje, që do të përfshijë të gjitha qytetet dhe fshatrat e Shqipërisë. “Nesër do të kemi një takim me publikun për të qartësuar të gjitha angazhimet që do të ketë kjo lëvizje, e cila nuk është një lëvizje e personalizuar, por është një përgjegjësi që duhet maksimizuar, se Partia Socialiste duhet të plotësojë misionin e saj në opozitë, se Partia Socialiste duhet të vazhdojë kontributet modernizuese në politikën shqiptare dhe duke filluar nga momenti i parë, që është pikërisht një opozitë e fortë brenda institucioneve të shtetit shqiptar dhe një bojkot i qartë ndaj bojkotit të sapunisur nga Partia Socialiste”, tha Malaj. Një nga çështjet kryesore me të cilat do të merret kjo lëvizje do të jetë dhe përpjekja për të rikthyer në Parlament grupin e deputetëve socialistë për t’i nxjerrë ata nga bojkoti i deritanishëm. “Besoj që ne do të kishim një mundësi të plotë, të bënim një opozitë të plotë për qeverinë e krijuar pikërisht në Parlament, aty ku kemi edhe mandatin tonë. Sapo të na jepet kjo mundësi, kjo opozitë do të jetë e plotë, e qartë për të gjitha risqet dhe për të gjitha defektet që kjo qeveri mund të sjellë në qeverisjen shqiptare”, tha Malaj. Lëvizja do të nisë sot me një takim të hapur në Akademinë e Arteve, ku do të prezantohet platforma e saj dhe objektivat që pritet të arrihen. Ky do të jetë fraksioni i parë brenda PS-së, i cili kërkon të bëjë betejën e tij brenda këtij formacioni dhe jo të shkëputet jashtë tij. Në kongresin e jashtëzakonshëm të PS-së në 29 gusht, ishin mbi 300 delegatë që firmosën pro paketës së ndryshimeve statutore, ose siç u quajt “Paketa Blushi”. Kjo paketë kërkonte saktësimin e disa neneve që ekzistojnë në statutin aktual, por që keqinterpretohen, siç është ai i ndërprerjes së mandatit të kryetarit socialist dhe moslejimin e tij të rikandidojë, për shkak të humbjes që i shkakton partisë. Gjithashtu në këtë paketë vendosen dhe rregulla të reja në organizimin e brendshëm të PS-së, të cilat rezultuan jo efektive në zgjedhjet e 28 qershorit, duke krijuar një sistem strukturash paralele në PS.