Marredheniet SHBA-Rusi temat e debateve te njejta
Sipas të gjitha llogarive Kremlini po shpresonte në fitoren e presidentit amerikan Barack Obama. Rivali i tij, ish-guvernatori i Masaçusetsit Mitt Romney, kishte deklaruar gjatë fushatës se Rusia është “armiku kryesor gjeopolitik” i Shteteve të Bashkuara. Ndryshe nga Romni, Obama për Putinin duket më i njohur, më i parashikueshëm dhe më pak i dashuruar në atë që njihet si veçantia amerikane në botë. Tashmë Kremlinit iu plotësua dëshira, por kjo nuk do të thotë kthim në marrëdhëniet relativisht të ngrohta siç ishin të ashtuquajturat “rivendosje raportesh” të vitit 2009 e 2010. Gjatë rivendosjes së shkurtër, Uashingtoni dhe Moska arritën të nënshkruajnë traktatin historik START, ranë dakord për katër raunde sanksionesh ndërkombëtare ndaj Iranit dhe në përgjithësi reduktuan tensionet dypalëshe, që u rritën në fund të presidencës së Xhorxh Bushit. Tani, megjithatë, çështje edhe më të vështira mbeten në tryezë - Afganistani pas tërheqjes së NATO-s në vitin 2014, Irani, planet e mburojës raketore, Siria. Gurthemeli i rivendosjes- bashkëpunimi në vendosjen e sigurisë në Afganistan - ka të ngjarë të vazhdojë. Por, derisa pritet tërheqja e forcave luftarake të NATO-s deri në fund të vitit 2014, tensionet mund të shfaqen edhe në këtë fushë thonë analistët. Moska ka kundërshtuar edhe sanksionet tjera ekonomike kundër Iranit lidhur me programin e tij kundërthënës bërthamor, një çështje tjetër kjo që ka të ngjarë të komplikojë marrëdhëniet me Uashingtonin në muajt e ardhshëm.