E Shtunë, 31 Tetor 2026

Marrëdhëniet e tendosura midis Shqipërisë dhe OSBE-së



Misioni i OSBE-së në Shqipëri, si rrallë ndonjëherë, prej shtatë muajsh qëndron pa u mbështetur në një mandat të miratuar nga Asambleja në Vjenë. Kjo anomali duket se ka për shkaktare vetë qeverinë shqiptare, e cila si rregull luan rolin e saj jo pak të rëndësishëm në rifreskimin e mandatit të këtij misioni në vendin tonë. Si rregull, pasi përfundon mandati, rinisin negociatat me qeverinë lidhur me detyrat specifike të misionit dhe drejtimet kryesore ku ky komision do të kontribuojë. Pasi arrihet marrëveshja në parim, atëherë kjo marrëveshje i kalon për miratim Asamblesë në Vjenë, e cila vendos me votat e të gjitha shteteve anëtare për ta ratifikuar ose jo. Por duket se në mënyrë të paprecedentë, qeveria shqiptare e ka neglizhuar deri në mospërfillje procesin e negociatave duke dhënë një mesazh të qartë me (mos)veprimin e saj për këtë mision. Këto shtatë muaj duket se qeveria shqiptare ka lënë të kuptohet se misioni i OSBE-së konsiderohet thuajse “i tepërt” prej saj. Nga ana e saj OSBE-ja reagoi pas debateve më të fundit në lidhje me praninë e saj në Shqipëri. Ajo ka bërë të ditur pak kohë më parë se po ndjek nga afër debatin rreth mandatit të saj në Shqipëri. “OSBE-ja është një partner afatgjatë në Shqipëri dhe se ka dhënë ndihmë të vazhdueshme për ecurinë e reformave”, - thuhet në reagimin e zyrës së OSBE-së në Tiranë. Të njëjtin reagim OSBE-ja ka përcjellë për autoritetet shqiptare edhe në një letër që kreu i radhës, Aleksandër Stuub, i ka dërguar ministrit të Jashtëm Lulzim Basha, që mban datën e 14 korrikut. Shefi i OSBE-së gjithashtu thekson se OSBE-ja do të vazhdojë të bashkëpunojë me autoritetet shqiptare në përputhje me mandatin e saj. Sipas Stuub, prezenca e OSBE-së në Shqipëri është në të mirë të popullit shqiptar.

21 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›