E Diel, 1 Nëntor 2026

Si do të ndëshkohen tatimorët në rast se kryejnë shkelje disiplinore



Vendimi i Këshillit të Ministrave parashikon ngritjen e një komisioni disiplinor, që do të shqyrtojë të gjitha rastet në të cilat punonjësit e administratës tatimore kryejnë shkelje tatimore. Ky komision krijohet nga Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve dhe në përbërjen e tij do të jenë 5 anëtarë, ndërkohë që komisioni do të kryesohet nga Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Shërbimeve mbështetëse dhe ka në përbërje drejtori/shefi i burimeve njerëzore dhe 3 nëpunës, të kategorisë A. Rolin e sekretarit të komitetit disiplinor e luan një punonjës i Drejtorisë së Burimeve Njerëzore. Komiteti disiplinor i merr vendimet me shumicë votash. Në mbledhjet e këtij komiteti merr pjesë, pa të drejtë vote, në rolin e këshilltarit ligjor, një specialist, jurist, nga Drejtoria Juridike. Komiteti disiplinor merret me të gjithë personelin e administratës tatimore, me përjashtim të drejtorit të Përgjithshëm, zëvendësdrejtorëve të Përgjithshëm dhe drejtorit të Drejtorisë së Apelimit Tatimor, për të cilët masat disiplinore merren në përputhje me ligjin “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”. Komiteti disiplinor, në trajtimin e punonjësve, garanton zbatimin e rregullave dhe të procedurave disiplinore, të parashikuara në këtë vendim e në legjislacionin për nëpunësit civil, dhe mbështetet në parimet e drejtorisë e të barazisë.
Në rast se anëtari i komitetit e ka të pamundur paraqitjen në mbledhjet e komitetit, zëvendësohet, në përputhje me dispozitat e Ligjit nr.8485, datë 12.5.1999, “Kodi i Procedurave Administrative të Republikës së Shqipërisë”.
Në rastet kur anëtarë të komitetit disiplinor janë drejtuesit raportues të punonjësit të akuzuar, apo kur ata vetë janë nën akuzë, atëherë këta anëtarë zëvendësohen, në përputhje me dispozitat e përcaktuara në pikën 15.6, të këtij vendimi, dhe shërbejnë vetëm si zyrtarë raportues në procedurën disiplinore.
Vendimet disiplinore merren kur sigurohet shumica e thjeshtë e votave të të gjithë anëtarëve të komitetit.

Rastet që përbëjnë shkelje disiplinore:
- Rastet e thyerjes së dispozitave të legjislacionit tatimor dhe të akteve të tjera, dalë në zbatim të tij;
- Shkeljet e dispozitave të nenit 26, të ligjit “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, për shmangien e konfliktit të interesit;
- Shkelja e rregullave për ruajtjen e konfidencialitetit, sipas kërkesave të nenit 25, të ligjit “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”;
- Moszbatimi i dispozitave ligjore për përmbushjen e detyrave funksionale;
- Mosrespektimi i përsëritur i kohës dhe i orarit të punës, moskryerja e detyrave apo mosrespektimi i përsëritur i afateve të caktuara për kryerjen e detyrave;
- Sjellja e parregullt gjatë kohës së punës me eprorët, kolegët, vartësit dhe me publikun;
-Dëmtimi i pronës shtetërore, përdorimi i saj jashtë përcaktimit zyrtar, krijimi, pa shkaqe të pranueshme, i mundësisë për dëmtimin a keqpërdorimin e pronës shtetërore;
- Kryerja, brenda apo jashtë kohës së punës, e veprimeve, që ulin ose cenojnë figurën e punonjësit të administratës tatimore;
- Kryerja e punëve apo veprimtarive, të cilat cenojnë interesat e detyrës zyrtare ose që pengojnë përmbushjen e saj;
- Shkelja e Ligjit nr.9131, datë 8.9.2003, “Për rregullat e etikës në administratën publike”;
- Shprehja e mendimeve apo kryerja e veprimtarive publike, me karakter partiak.

21 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›