Vendimi, sigurimet shoqërore nga 1 janari 2009 do të ulen me 16%
Kryeministri Sali Berisha ka bërë të ditur gjatë fjalës së mbajtur në mbledhjen e djeshme të qeverisë se më një janar të vitit 2009 qytetarët shqiptarë do të paguajnë 15% të pagës për sigurimet shoqërore nga 31% që paguajnë aktualisht. Megjithëse ndodhemi në mes të muajit gusht, kreu i qeverisë ka gjetur pikërisht këtë periudhë për të bërë publik një vendim që do të hyjë në fuqi më 1 janar të vitit të ardhshëm. Sipas kreut të qeverisë, ulja me 16% e kontributit të sigurimeve shoqërore dhe ulja e dy viteve më parë me 9%, ka bërë të mundur që gjatë mandatit qeverisës të PD-së ulja e sigurimeve shoqërore të kapë shifrën 25%. Kryeministri u shpreh se vendimi për uljen e sigurimeve shoqërore dhe arsyet e shkaqet që bënë të mundur këtë vendim janë dëshmi e shkëlqyer e suksesit të filozofisë ekonomike. “Qeveria shqiptare uli 2 vjet më parë duke e bërë 31% sigurimet shoqërore, duke ndikuar në këtë mënyrë ndjeshëm në koston e prodhimit, duke ulur barrën fiskale mbi sipërmarrësit. Qeveria do të bëjë hapin e dytë madhor prapë në këtë drejtim. Shqipëria do të ulë me 25% më tej sigurimet shoqërore”. Kryeministri theksoi se me këtë ulje të dytë, sipërmarrësit shqiptarë, si punëdhënës, të cilët dy vjet më parë paguanin 31% sigurim shoqëror për të punësuarit e tyre, duke filluar nga 1 janari i vitit 2009 e në vazhdim do të paguajnë gjithsej 15%. Sipas Berishës, ky vendim është bërë i mundur për shkak të konsolidimit progresiv të disiplinës fiskale në Shqipëri nga autoritetet përgjegjëse, Ministria e Financave, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve. “Edhe pasi u ul me 31% taksa e sigurimeve shoqërore, të ardhurat nga sigurimet shoqërore u rritën me mbi 33%. Qëllimi i qeverisë është para së gjithash dhe mbi të gjitha barazia, liria e tregut, trajtimi i barabartë i bizneseve, ndaj me këto hapa është bërë një thellim i madh i revolucionit të pandërprerë fiskal në Shqipëri”, - është shprehur Berisha.
21 Gusht 2008