E Shtunë, 31 Tetor 2026

Si do të bëhet marrja në punë e punonjësve në administratën tatimore

Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve vulos për emërimet dhe shkarkimet. Masat që do të merren për tatimorët që kryejnë shkelje disiplinore

Shaban Sulçe

Këshilli i Ministrave i ka lënë kompetencë të plotë drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve për të gjitha lëvizjet në administratën tatimore. Sipas vendimit më të fundit të qeverisë, numri 1 i Tatimeve do të ketë të drejtë të plotë për të vendosur për të gjitha lëvizjet në administratë, që kanë të bëjnë me rekrutimin e punonjësve, emërimet dhe lëvizjet e punonjësve si dhe për ngritjen në detyrë të punonjësve të administratës tatimore.

Rekrutimi i punonjësve
Sipas vendimit të Këshillit të Ministrave, rekrutimi i punonjësve në administratën tatimore, vendet e lira, brenda administratës, plotësohen në varësi të kategorisë dhe të natyrës së pozicionit, nëpërmjet njërës prej tre procedurave që janë: transferimi i personelit tatimor brenda së njëjtës kategori, ngritja në kategori, nëpërmjet konkurrimit të personelit tatimor ekzistues të një kategorie më të ulët si dhe rekrutimi i personelit, nëpërmjet procedurave të konkurrimit të hapur. Është Drejtoria e Burimeve Njerëzore në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve ajo që në zbatim të strukturës analitike të miratuar dhe nevojave funksionale, shpall vendet e lira. Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, me propozimin e drejtorit të Drejtorisë së Burimeve Njerëzore, miraton procedurën e konkurrimit për këto vende të lira. Përzgjedhja e kandidatëve bazohet në vlerësimin e përshtatshmërisë së tyre me kërkesat e përshkrimit të vendit të lirë të punës dhe në kriteret e përcaktuara në aneksin nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi. Vlerësimi i përmbushjes së këtyre kritereve bëhet nga Drejtoria e Burimeve Njerëzore, në DPT. Në rastet e rekrutimeve të përmendura në këtë pike, kriteri arsimor zbatohet sipas kërkesave të veçanta, që i përgjigjen vendit të punës.

Konkurrimi i kandidatëve
Konkurrimi për rekrutimin në administratën tatimore zhvillohet në tri faza. Faza e parë është shpallja e konkurrimit, që bëhet nga: drejtoria/sektori apo zyra e personelit dhe përmban kërkesat e përgjithshme, të përcaktuara në Vendimin nr.231, datë 11.5.2000, të Këshillit të Ministrave, si dhe kriteret e veçanta për secilin pozicion, të përcaktuara në aneksin nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi. Drejtoria/sektori apo zyra e personelit përkatës në administratën tatimore qendrore bën përzgjedhjen e kandidatëve, që do t’i nënshtrohen testimit, pasi vlerëson se kandidatët plotësojnë kërkesat, e përgjithshme dhe të veçanta, të përcaktuara në shpalljen për konkurrim. Ankimi në këtë fazë bëhet në përputhje me legjislacionin në fuqi për nëpunësin civil.
Faza e dytë është ajo e testimit, i cili bëhet me shkrim ose me gojë. Drejtoria/sektori apo zyra e personelit përkatës në administratën tatimore qendrore ngre komitete të veçanta, me 5 anëtarë, përkatësisht zëvendësdrejtorin e Përgjithshëm të Shërbimeve Mbështetëse, drejtorin/përfaqësuesin e zyrës sektorit të shërbimeve mbështetëse, eprorin direkt për pozicionin e vendit të shpallur të lirë dhe dy personalitete të fushës, ekonomike, me profil finance dhe juridike. Komiteti harton një listë me tre kandidatët me rezultatet më të larta, duke u bazuar kryesisht në rezultatet e testimeve, por edhe në kualifikimet, përvojën profesionale dhe botimet shkencore. Rezultatet e testimit dhe pikët maksimale janë, përkatësisht, 70 pikë në rezultatin e testimit, 10 pikë për përvojën në punë të kandidatit, 8 pikë për kualifikimet, 8 pikë për botimet shkencore dhe 4 pikë për aftësi të personale, të veçanta. Vlerësimi nga komiteti të 3 kandidatëve me pikët më të larta. Rezultati shpallet në një vend të dukshëm. Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve zgjedh njërin nga tre kandidatët e përzgjedhur nga komiteti. Drejtoria/sektori apo zyra e personelit, brenda 4 ditëve, boton rezultatin e konkurrimit në dy gazetat kombëtare, me qarkullim më të madh.

21 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›