E Diel, 1 Nëntor 2026

Tatimorët do të përballen me akuza në seancat dëgjimore



Në rast konstatimi të shkeljeve disiplinore nga ana e punonjësve të administratës tatimore, eprori direkt kryhen një verifikim paraprak, për të vërtetuar faktet dhe, kur është e nevojshme, merr deklarime nga çdo dëshmitar i mundshëm. Rezultatet përmblidhen në një raport vlerësimi. Nëse nga verifikimi disiplinor vërtetohet se është bërë një shkelje disiplinore, eprori direkt e njofton punonjësin menjëherë me shkrim për shkeljet, që rëndojnë mbi të. Eprori direkt, brenda 5 ditëve nga data e marrjes së njoftimit për shkeljen, i dërgon vendimin dhe një raport vlerësimi komitetit disiplinor, i cili është i detyruar ta vlerësojë këtë çështje brenda 30 ditëve nga data e marrjes së tyre. Pas shqyrtimit të plotë të dokumentacionit përkatës, komiteti disiplinor organizon një seancë dëgjimore, gjatë së cilës punonjësi i akuzuar ka të drejtë ta shpjegojë çështjen dhe t’u përgjigjet akuzave të bëra. Punonjësi i akuzuar gëzon të drejtën e ndihmës ligjore me shpenzimet e veta. Ai dhe dëshmitarët e çështjes njoftohen, me anë të aktit të njoftimit, për të marrë pjesë në seancën dëgjimore. Bazuar në faktet e vërtetuara dhe në të dhënat e grumbulluara, sipas natyrës dhe rëndësisë së shkeljes, komitetit disiplinor i rekomandon drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve hedhjen poshtë të çështjes apo marrjen e masave, sipas legjislacionit në fuqi për nëpunës civilë.

Masat ndaj tatimorëve, vulos drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve

Propozimi i masave bëhet sipas dëmit të shkaktuar. Në rastet kur vërehen dy ose më shumë shkelje, të përsëritura brenda një viti, komiteti mund të propozojë masën e largimit nga puna.
Për masat e vërtetimit të mitmarrjes apo të një kërkese për shpërblim a për marrje të tij, zbatohet, në mënyrë të drejtpërdrejtë, masa “Largim nga puna”.
Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve ka autoritetin ligjor që, brenda 30 ditëve të pranojë rekomandimin e komitetit disiplinor dhe të marrë vendim përfundimtar, me shkrim. Drejtoria e Burimeve Njerëzore përgjigjet për zbatimin e vendimit dhe për njoftimin me shkrim të punonjësit, ndaj të cilit është marrë masa disiplinore. Një kopje e këtij vendimi arkivohet në dosjen e çështjes. Gjithashtu drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve brenda afatit të përcaktuar ka autoritetin ligjor që të mos pranojë rekomandimin e komitetit disiplinor dhe t’ia kthejë çështjen për rishqyrtim këtij komiteti, për arsye të dokumentuara, të mungesës së provave, të të dhënave apo të verifikimeve shtesë të kërkuara.
Rasti i tretë i parashikuar është që drejtori i Përgjithshëm të mos pranojë rekomandimin e komisionit disiplinor, pas rishqyrtimit, kur arsyet për këtë vendim mbështeten nga një raport me shkrim. Një kopje e vendimit për masë disiplinore, marr ndaj punonjësit tatimor, depozitohet në dosjen e tij personale.

21 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›