Rusi BE në garë për gazsjellësit
Konkurrenca e fortë lidhur me prodhimin, shpërndarjen, por edhe ndërtimin e tubacionit të naftës dhe gazit kthejnë në skenë një sërë aktorësh me interesa të ndryshme.
Kështu po ndodh me dy projektet, ‘Nabucco’ dhe ‘Rrjedha e Jugut’. Beteja për Korridorin energjetik lidhet me gazin e vendeve të Azisë Qendrore. Bashkimi Europian i kërkon Rusisë të mos pengojë projektin ‘Nabucco’, i cili do të furnizonte me gaz natyror Europën Perëndimore përmes Turqisë, nga deti Kaspik. Fillimisht Komisioni Europian kish caktuar 250 milionë euro edhe për projektin ‘Nabucco’, por në një moment të dytë, prej kundërshtimit të fortë të Gjermanisë, që ka të gjithë interesin që t'i shikojë fondet e Bashkimit Europian të drejtuar në projekte të tjera, si North Stream - janë revokuar. Çështja nuk është akoma krejtësisht e qartë, ka zëra në brendësi të Komisionit Europian që shprehin një mbështetje të fuqishme ndaj projektit ‘Nabucco’. Gazsjellësi do të fillonte nga Turqia për të arritur në pikën shpërndarëse të Baumgarten në Austri, duke përshkuar Bullgarinë, Rumaninë dhe Hungarinë. Për Poloninë, e cila zyrtarisht mbështet ndërtimin e ‘Nabucco’, ky projekt përfaqëson sidomos një alternativë ndaj gazit rus, edhe pse, i krahasuar me të tjerë, rezulton më pak bindës, sidomos sepse vendet e shumta të transitit mund t'ia ngrenë kostot. Veç kësaj, furnizuesit kryesorë me gaz, të përfshirë (Azerbajxhani, Turkmenistani, Kazakistani dhe Irani), teorikisht janë akoma pak të qëndrueshëm politikisht për të garantuar ecurinë e sigurt të projektit, që do t'i jepte Polonisë 3 miliardë metra kub gaz në vit.