“Marrëveshja Kosovë-Maqedoni, akt historik i domosdoshëm për paqen dhe stabilitetin”
Qeveria shqiptare përshëndet marrëveshjen për kufijtë
Qeveria shqiptare, nëpërmjet zëdhënëses së Qeverisë, Majlinda Bregu, përshëndet marrëveshjen për përcaktimin e kufirit midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë, si një akt historik në marrëdhëniet midis dy vendeve mike në rajon dhe si një kontribut shumë të rëndësishëm për konsolidimin e paqes, stabilitetit dhe bashkëpunimit rajonal.
Kuvendi i Kosovës e ratifikoi marrëveshjen për demarkacionin e kufirit mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë. Marrëveshja u miratua me 81 vota pro, 3 kundër dhe 2 abstenime, duke i hapur kështu rrugë vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve.
Marrëveshjes i kanë paraprirë muaj të tërë negociatash mes ekspertëve të të dyja vendeve. Ajo pritet t’ia hapë dyert vendosjes së marrëdhënieve diplomatike.
Më parë, në një deklaratë për media, qeveria e Kosovës ishte shprehur se kjo marrëveshje rikonfirmon subjektivitetin ndërkombëtar të Republikës së Kosovës dhe forcon pozitën e saj lidhur me procesin e legjitimitetit të shpalljes së pavarësisë, që do të mbahet në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.