“Kontribut për paqen dhe dëshmi e vullnetit bashkëpunues të të dy vendeve ballkanike”
Ministria e Jashtme përshëndet marrëveshjen e kufijve
Ministria e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, përshëndeti dje arritjen e marrëveshjes midis Prishtinës dhe Shkupit për çështjen e demarkacionit të kufirit. Përmes një njoftimi zyrtar, Ministria e Jashtme, bën me dije se marrëveshja e fundit është një shenjë e qartë pjekurie, përgjegjësie dhe respekti.
“Ministria e Punëve të Jashtme bashkohet me deklaratën e Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Evropian për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë së Përbashkët, Havier Solana, i cili përgëzon në mënyrë të ngrohtë autoritetet e dy vendeve për arritjen e kësaj marrëveshjeje të rëndësishme si një shenjë pjekurie, përgjegjësie dhe respekti reciprok”. Ministria e Punëve të Jashtme, “vlerëson se arritja e kësaj marrëveshjeje është një kontribut i rëndësishëm për paqen dhe stabilitetin në rajon dhe një dëshmi e qartë e vullnetit të dy vendeve për intensifikimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe të fqinjësisë së mirë, për një të ardhme të përbashkët evropiane”, thuhet në njoftimin zyrtar të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë, vetëm pak minuta pasi Kuvendi i Kosovës, miratoi me shumicë votash, marrëveshjen e kufirit me Maqedoninë.