E Diel, 1 Nëntor 2026

“Çështja e kufirit kërkon gjykim të pjekur, jo interesa të ngushta politike”

Ministri i Jashtëm, Ilir Meta, reagon përsëri ndaj spekulimeve të opozitës

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, i është kundërpërgjigjur përsëri kërcënimeve për protesta të kryesocialistit Edi Rama, lidhur me çështjen e kufirit me Greqinë dhe depozitimin e ankimimit në Gjykatën Kushtetuese.
Shefi i diplomacisë shqiptare deklaroi se çështja e kufirit me Greqinë, është çështje shtetërore. Sipas Metës, ajo kërkon një gjykim të pjekur dhe jo të bazuar në interesa të ngushta politike.
“Kjo është çështje e tyre, por këtu kemi të bëjmë me raporte shtetërore dhe kjo gjë natyrisht që kërkon një gjykim të pjekur, kërkon një rrugë institucionale larg interesave të ngushta politike” tha kreu i LSI-së. Problemet e brendshme janë tjetër gjë, ndërsa raporte të tilla janë shumë të rëndësishme dhe për këtë i ftoj të sillen më përgjegjësi”, u shpreh ministri Meta.  
Megjithatë, shefi i diplomacisë shqiptare, bëri me dije se është e drejtë e opozitës të ndjekë rrugët që gjykojnë më të përshtatshme. Përpos kësaj, ministri i Jashtëm Ilir Meta, tha se opozita bën mirë që të drejtohet në Ministrinë e Jashtme, për të mbledhur informacionin e nevojshëm, për çështjen e shumë trumbetuar prej saj.
“Unë ua kam thënë edhe më parë dhe përsëri më duhet të flas si Ministër i Jashtëm, që janë të mirëpritur në Ministrinë e Jashtme, në çdo moment që të dëshirojnë që tu ofrohet i gjithë informacioni i duhur për të gjykuar lidhur domosdoshmërinë e kësaj marrëveshje. Jam i sigurt njëkohësisht se janë të mirëpritur gjithnjë edhe në Ministrinë e Mbrojtjes që të informohen në mënyrën më institucionale dhe më korrekte. Se çfarë vendosin ata është një çështje e tyre. Unë i ftoj të informohen në Ministrinë e Jashtme, ata zgjedhin të bëjnë protestë para Ministrisë së Jashtme”, nënvizoi ministri Meta.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›