“Vendimi është demagogji, PS po tregon se nuk është në gjendje të vijë në pushtet”
Ben Blushi kundër bojkotit të zgjedhjeve të pjesshme
Deputeti dhe anëtari i Asamblesë Kombëtare të PS-së, Ben Blushi u shpreh dje kundër bojkotit të zgjedhjeve të pjesshme të 15 nëntorit nga ana e PS-së.
Në një prononcim për mediat, Blushi tha se, “jam kundër vendimit për të mos marrë pjesë në 5 bashki dhe komuna, sepse është demotivues, sepse po i falim 5 njësi vendore qeverisë”. Sipas tij, “ duke mos marr pjesë në këto zgjedhje PS po zhvillon një ndjenjë inferioriteti dhe po i thotë shqiptarëve që për sa kohe që Sali Berisha është në pushtet ne s’vijmë dot në pushtet”.
Ai shtoi më tej se. “PS po tërhiqet nga të gjitha pozicionet e saj duke rrezikuar të mos të hyjë as në zgjedhjet e ardhshme lokale, që do të thotë se ajo po del jashtë sistemit”.
Zgjedhjet e pjesshme në disa njësi vendore në vend zhvillohen pas zgjedhjeve të 28 qershorit, kur krerët e këtyre njësive fituan mandatin e deputetit, por mbledhja e Asamblesë Kombëtare të PS-së, vendosi mos hyrjen e PS-së në këto zgjedhje.