“Marrëveshja e kufijve detarë, transparente dhe politike”
Juristi i PS-së, Ylli Manjani kundërshton linjën false të Edi Ramës
Inicimi ditëve të fundit i një vargu deklaratash kërcënuese, nga ana e opozitës dhe kreut të saj Edi Rama, pas kurorëzimit me sukses të një marrëveshjeje të rëndësishme, si ajo e kufirit detar me Greqinë, ngjall edhe zërat kritikë brenda selisë rozë.
Edi Rama dhe klika e tij, si Erjon Veliaj, Spartak Ngjela apo edhe Nard Ndoka, duket se po shkojnë drejt një dështimi të dhimbshëm për ta dhe fatin e tyre politik, pavarësisht se shpëtimtarë për momentin është bërë një kamerdare e shfryrë, e konvertuar në një karikaturë politike. Si pasojë e një karvani polemikash dhe akuzash të pakuptimta në drejtim të qeverisë dhe agjencive qeveritare, brenda selisë rozë plasin reprezaljet e para kundër linjës antishqiptare të Ramës.
Kësisoj, anëtari i Asamblesë së Partisë Socialiste, juristi Ylli Manjani, ka deklaruar dje gjatë punimeve të Asamblesë Kombëtare të PS-së në lidhje me diskutimet për marrëveshjen detare me Greqinë se “kjo marrëveshje është transparente dhe e tipit politik, prandaj edhe instrumenti i përdorur nga PS duhet të ishte i tillë”.
“Kjo marrëveshje nuk ka probleme juridike dhe ankimi i PS-së në Gjykatën Kushtetuese sipas mendimit tim është i kotë”, tha Manjani.
Ai shtoi se “PS është kthyer në një zyrë avokatie të problemeve të gjithçkaje që ndodh në këtë vend”.
Për sa i takon bojkotit të zgjedhjeve të pjesshme të 15 nëntorit, Manjani theksoi se, “bëj pjesë në atë grup që mendon se zgjedhjet nuk duhet të bojkotohen, pasi po të vazhdohet kështu për një kohë të gjatë PS do të kalojë në ilegalitet”.