E Shtunë, 31 Tetor 2026

Marrëveshja PD-PS, Kukan e Svoboda letër Berishës dhe Ramës

Kukan dhe Svoboda vlerësojnë marrëveshjen mes dy partive si një zhvillim inkurajues për procesin e integrimit të vendit

TIRANË Dy europarlamentarët, kryetari i delegacionit për Marrëdhëniet me Europën Juglindore, Eduard Kukan, dhe zëvendëspresidenti i grupit të socialdemokratëve në Parlamentin Europian, Hanes Svoboda, i janë drejtuar dje kryeministrit Sali Berisha dhe kryetarit të PS-së, Edi Rama, me një letër të hapur. “Marrëveshja e fundit midis palëve tuaja për të rifilluar punën tuaj të rregullt parlamentare është një hap i shumëpritur drejt normalizimit të klimës politike në Shqipëri. Fillimi i punës së përbashkët për reformën zgjedhore dhe rishikimi i rregullave të procedurave të Parlamentit, si dhe ndërmarrja për të votuar ligjet që kërkojnë "shumicë të cilësuar" janë një hap i rëndësishëm përpara. Ky është një zhvillim inkurajues për procesin e integrimit europian të vendit”, - thuhet që në fillim të letrës së përbashkët. Kukan dhe Svoboda shprehen përmes letrës se këto marrëveshje të konfirmuara nga Parlamenti janë një përgjigje politike për sfidat e mëdha përpara. “Ky përparim nuk mund të kishte ardhur në një kohë më të mirë për vendin dhe rajonin. Tani, momenti duhet shfrytëzuar për të ndërmarrë masa politike që të jenë largpamëse, vendimtare dhe konstruktive për të siguruar një perspektivë të qartë për qytetarët. Shqipëria nuk duhet ta humbasë këtë mundësi”, thuhet në letër. Për këtë arsye, dy europarlamentarët kanë kërkuar që ata të bashkojnë forcat për përparimin e mëtejshëm të reformave lidhur me integrimin në BE. “Si përfaqësues të zgjedhur të Parlamentit Europian, ne gjithashtu shpresojmë se marrëveshja e javës së kaluar do të çojë në një funksionim më të mirë të Kuvendit të Shqipërisë. Një konsensus i gjerë për reformën zgjedhore do të jetë i dobishëm në sigurimin e funksionimit të duhur të procesit demokratik. Ne gjithashtu besojmë fuqishëm se ka një mundësi tani për zbatimin e reformave të rëndësishme në lidhje me sundimin e ligjit dhe të të drejtave të njeriut, veçanërisht për reformën e gjyqësorit, luftën me efikasitet kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, dhe për të siguruar trajtimin jo-diskriminues dhe të barabartë të të gjithë qytetarëve”,- thuhet në letër, duke shprehur njëkohësisht besimin se e ardhmja e Shqipërisë si dhe ajo e vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin Europian. Europarlamentarët kujtojnë edhe takimin që do të zhvillojnë në Tiranë në datat 8-9 dhjetor. “Ne do të kemi një rast të parë për të shkëmbyer mendime me homologët tanë shqiptarë gjatë takimit të ardhshëm të Komitetit Parlamentar të Stabilizim dhe Asociimit në Tiranë më 9 dhjetor. Ne kemi besim se ky rast do të shënojë një fazë të re në marrëdhëniet tona”,- thuhet në letër.

N.P

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›