SHISH: Buxheti që po na jepet, sa gjysma e nevojave
Demi: SHISH i ka plotësuar kërkesat e veta për sigurinë kombëtare, sidomos në luftë kundër terrorit, dhe ka rritur bashkëpunimin e tij me strukturat e NATO-s, të cilat janë shumë të kënaqura nga puna e SHISH
Shërbimi Informativ Kombëtar shprehet i pakënaqur me shtesën prej 50 milionë lekësh të reja, që Ministria e Financave ra dakord t’i shtojë në buxhetin e vitit të ardhshëm pas propozimit të bërë nga komisioni i Sigurisë Kombëtare. Ka qenë këtë herë numri dy i SHISH-it, Ylli Alushi, ai që ka shfaqur hapur rezervat që ka institucioni në të cilin ai shërben, për buxhetin e vënë në dispozicion nga ekzekutivi për vitin e ardhshëm, duke deklaruar se shtesa prej 50 milionë lekësh të reja është sa gjysma e nevojave që ka ky shërbim. Deklarata është bërë dje në komisionin e Sigurisë Kombëtare, ku SHISH ishte thirrur së bashku me Ministrinë e Brendshme dhe atë të Mbrojtjes, për të dhënë mendimet e tyre për miratimin nen për nen të projektbuxhetit të vitit të ardhshëm.
SHISH
Pavarësisht përpjekjeve të kreut të komisionit të Sigurisë, Leonard Demi, për të mos e rihapur çështjen e buxhetit të SHISH-it, nëndrejtori i këtij institucioni, Ylli Allushi, megjithëse është përpjekur të ruajë konfidencialitetin e çështjes në fjalë, kur ka parë se ka qenë e pamundur që të diskutonte problemet pa praninë e medias, ka deklaruar se shuma e vënë në dispozicion të SHISH-it si shtesë nuk mjafton. Sipas tij, 50 milionë lekët e shtuara në projektbuxhetin fillestar të këtij institucioni janë vetëm sa gjysma e shumës që drejtori i SHISH-it, Bahri Shaqiri kërkoi një javë më parë. “Unë e kuptoj që më shumë mundësi nuk ka, por 50-milionëshi është sa gjysma e asaj që kemi kërkuar ne”, - tha Alushi në fund të mbledhjes, pasi kreu i komisionit, Leonard Demi, nuk e lejoi që të shprehte pretendimet e tij. Bëhet fjalë për ato kërkesa, që një javë më parë i ngriti vetë Shaqiri në komisionin e Sigurisë, në një mbledhje pa praninë e mediave. Gjatë asaj mbledhjeje, SHISH risolli të njëjtat shqetësime që ka pasur edhe në dy vitet e shkuara për sa i përket trajtimit financiar. Kështu, pavarësisht se në krahasim me buxhetin e rishikuar të një viti më parë buxheti i këtij institucioni për vitin 2012 parashikohet të jetë 25 milionë lekë të reja më pak, kreu i SHISH-it nuk kërkoi vetëm këtë diferencë, por edhe një shtesë tjetër, e cila në total shkon në 96 milionë lekë të reja ose afro 1 milion dollarë më shumë. Siç do të deklaronte Shaqiri në komision, në projektbuxhetin e vitit 2012, zëri për mallra dhe shërbime operative në krahasim me një vit më parë ka një përgjysmim. Për këtë arsye, ai paralajmëroi komisionin se në këtë mënyrë rrezikohet seriozisht puna operative e agjentëve të këtij shërbimi. Madje, siç bënë të ditur burimet në atë mbledhje, kreu i SHISH-it ka theksuar se nga 950 punonjës që ka ky institucion me buxhetin e vënë në dispozicion për vitin e ardhshëm, vetëm veprimtaria e 11 prej tyre mund të mbulohet me dieta për shërbim. Një tjetër shqetësim i ngritur prej tij në atë mbledhje kishte të bënte dhe me shpenzimet për bazë materiale, si letra, aparatura ndihmëse, aparatura interceptimi, apo edhe karburanti e makinat. Madje duke u ndalur te makinat, mësohet se Shaqiri kishte deklaruar se, nga rreth 250 makina që ka në dispozicion ky institucion vetëm 15 prej tyre janë në gjendje pune, 50 të tjera janë 100 për qind të amortizuara dhe pjesa tjetër, 60 deri në 80 për qind, të amortizuara.
Debati
Pakënaqësia e shprehur dje në mbledhje nga Ylli Alushi, është bërë shkas për debat mes mazhorancës dhe opozitës. Ka qenë kjo e fundit, ajo që ka kundërshtuar buxhetin e paraqitur nga qeveria, si një buxhet që nuk arrin të përmbushë nevojat minimale të SHISH-it për të plotësuar detyrimet e tij kushtetuese. Nga ana tjetër, kryetari i komisionit, Leonard Demi, duke iu referuar pikërisht faktit se edhe gjatë vitit të shkuar ky institucion kishte pretendime shtesë, ai arriti ta realizojë më së miri detyrën e tij. Një vlerësim ky që duket se bie ndesh me kritikat që ka marrë ky institucion nga pjesa dërmuese e mazhorancës në lidhje me ngjarjen e 21 Janarit, ku u akuzuan për mosinformim. “SHISH i ka plotësuar kërkesat e veta për sigurinë kombëtare, sidomos në luftë kundër terrorit dhe ka rritur bashkëpunimin e tij me strukturat e NATO-s, të cilat janë shumë të kënaqura nga puna e SHISH-it, dhe kjo vjen për shkak të arritjeve që ka ky institucion në plotësimin e objektivave të veta”, - tha Demi.
Debati i nëndrejtorit të SHSH-it me deputetë
Leonard Demi: SHISH, ka ndonjë gjë për të thënë? Nuk besoj se ka ndonjë gjë, se ne e kemi miratuar këtu një shtesë prej 50 milionë lekësh sipas kërkesave që bëri drejtori i SHISH-it. Këto 50 milionë kërkohen për luftën kundër terrorit kibernetik dhe pajisje të reja, si dhe për të zëvendësuar pajisjet e amortizuara apo kompjutera. Nuk besoj zoti Alushi se keni ndonjë gjë tjetër.
Ylli Alushi: Dua të them diçka që lidhet kryesisht me mbështetjen tuaj, por pasi të flasin shokët, d.m.th., në fund kur të largohet media, megjithëse media do i marrë vesh.
Demi: Ne i kemi diskutuar pa media, me drejtorin e përgjithshëm kërkesat tuaja, nëse ke plus atyre...
Alushi: Jo, në lidhje me to s’kemi.
Demi: Jo, në lidhje me to jemi në rregull.
Ilir Gjoni: Dua të shpreh qëndrimin kundër të opozitës ndaj këtij buxheti, pasi anashkalon ato prioritete që ka shoqëria jonë ndaj sigurisë kombëtare. Ne jemi kundër, pasi ky buxhet nuk plotëson nevojat minimale të SHISH-it për të kryer funksionet e veta kushtetuese. Ky është buxhet klientelist dhe politik
Demi: Ky është një buxhet më i madh se ai i vitit të kaluar. Do dëshironim që në institucionet e sigurisë të kishim shumë më shumë, por mendojmë se ky buxhet mjafton për të kryer detyrat dhe modernizimin e tyre. SHISH i ka plotësuar kërkesat e veta për sigurinë kombëtare, sidomos në luftë kundër terrorit, dhe ka rritur bashkëpunimin e tij me strukturat e NATO-s, të cilat janë shumë të kënaqura nga puna e SHISH-it dhe kjo vjen për shkak të arritjeve që ka ky institucion në plotësimin e objektivave të veta. Megjithatë, ne kemi marrë parasysh kërkesën e drejtorit të përgjithshëm për një rritje prej 50 milionë lekësh. Si dhe për mjetet e transportit që janë amortizuar.
Arben Çuko: Këta e kapin lepurin ne qere, se makina s’kanë ata.
Demi: Unë po diskutoj atë që ata kanë sjellë si arritje dhe konkluzione të punës së tyre njëvjeçare.
Alushi: Meqenëse bëhet fjalë se komisioni i Sigurisë e ka mbështetur SHISH-in, unë e kuptoj që më shumë mundësi nuk ka, por 50 milionëshi është sa gjysma e asaj që kemi kërkuar ne.