E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reforma, PD-PS rrëzojnë 2 kërkesat e para të të vegjëlve

PD e PS nuk kanë pranuar që partitë e tjera të kenë ekspertë pranë komisionit. Rrëzohet edhe propozimi për t’i bërë të hapura mbledhjet e komisionit

Ka nisur me konsensusin e dy partive të mëdha, por me pakënaqësinë e të vegjëlve reforma zgjedhore. Pakënaqësi që s’kanë pasur për bazë çështje që kanë të bëjnë direkt me amendimin e Kodit, por me çështje teknike për mënyrën sesi do punojë komisioni i Reformës Zgjedhore. Komisioni i Reformës Zgjedhore që ka çelur punimet dje nën drejtimin e kryeparlamentares Topalli, është përfshirë nga debate mes përfaqësuesve të partive të vogla dhe pjesës tjetër të tij, që përbëhet nga përfaqësues të PD-së dhe PS-së, në lidhje me çështjen e grupit të ekspertëve dhe pranisë së medias në punimet e tij. Kështu, dy partitë e mëdha nuk kanë pranuar dje që edhe partitë e tjera parlamentare të përfaqësuara në këtë komision, si LSI, PDIU, PR dhe PBDNJ, të kenë të atashuar pranë komisionit nga një ekspert, ashtu siç e ka këtë të drejtë edhe PD-ja e PS-ja. Në këtë mënyrë, me forcën e kartonëve dhe të drejtën e vetos që kanë dy të mëdhenjtë, është vendosur që grupi i ekspertëve të përbëhet vetëm nga dy përfaqësues të PD-së dhe PS-së, përkatësisht Oerd Bylykbashi dhe Bledar Çuci, ndërkohë që po ashtu me votë është hedhur poshtë edhe propozimi që mbledhjet të bëheshin të hapura për mediat.

Mbledhja

Komisioni i Reformës Zgjedhore zhvilloi dje mbledhjen e parë, duke nisur kështu zyrtarisht punën për hartimin e reformës zgjedhore. Komisioni ka katër muaj afat për realizimin e këtij procesi, por me të drejtën për të ripërtërirë mandatin e tij në rast se palët do të bien dakord. Mbledhja e parë është hapur nga kryetarja e Kuvendit, e cila në fjalën e vet e ka konsideruar një gur prove për çuarjen e kompromisit mes forcave politike shqiptare deri në fund. “Kjo reformë parlamentare është një gur prove për partitë politike, sepse është rasti që të kapërcejmë interesat e ngushta të cilësdo parti që të jetë, e madhe apo e vogël, e majtë apo e djathtë, dhe do të mendojmë për të përsosur standardet e për t’i perfeksionuar më tej ato. Ky gur prove për çdo parti politike do të jetë një moment edhe reflektimi, por edhe një shans e një mundësi e jashtëzakonshme për të arritur kompromise në funksion të standardit më perfekt të reformës”, - tha Topalli. Me kaq, mbledhja është konsideruar e përfunduar për mediat, të cilat janë nxjerrë jashtë për të vijuar më pas punimet e komisionit për çështjet që ishin përcaktuar edhe për rendin e ditës, pra ngritja e grupit të ekspertëve dhe zgjedhja e sekretarit. Ndërsa për sekretarin palët nuk kanë pasur asnjë pretendim, duke zgjedhur deputetin Viktor Gumi, çështjet e tjera për të cilat është diskutuar, nuk kanë kaluar pa debate dhe kundërshtimin e “të vegjëlve”.

Debatet

Kështu, ndërsa dy partitë e mëdha ishin marrë vesh më parë për përbërjen e grupit të ekspertëve për të përcaktuar në të vetëm përfaqësues të tyre, forcat e vogla politike parlamentare të përfaqësuara në këtë tryezë kanë kërkuar që të kenë edhe ato nga një vend në këtë grup teknicienësh. Mësohet se ka qenë kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi, ai që ka propozuar këtë mënyrë kompozimi të grupit të ekspertëve, ndërsa është kundërshtuar nga dy bashkëkryetarët e komisionit, Ilir Rusmali dhe Damian Gjiknuri. Një fakt të tillë e ka konfirmuar dje përfaqësuesi i LSI-së në këtë komision, Vangjel Tavo, i cili i pyetur nga MAPO është shprehur se “ne, si parti të vogla kërkuam që për të qenë në kushte sa më të barabarta, të kishim nga një përfaqësues tonin tek grupi i ekspertëve, çka nuk u pranua nga dy partitë e mëdha që ishin marrë vesh paraprakisht”. Gjithashtu, Tavo ka bërë të ditur se një çështje që ngjalli jo pak debat ka qenë edhe ajo për prezencën e medias në mbledhjet e komisionit, kërkesë kjo që sipas tij është hedhur sërish poshtë me votë.

Gjiknuri: Sistemi zgjedhor, pjesë e axhendës së reformës

Ndryshimi i sistemit zgjedhor nuk është një çështje e mbyllur për socialistët. I sapodalë nga mbledhja e parë e komisionit të posaçëm të Reformës Zgjedhor, bashkëkryetari socialist Damian Gjiknuri ka theksuar se pavarësisht se palët kanë rënë dakord që t’i përmbahen 52 rekomandimeve që përmbajnë raportet e OSBE-ODIHR, ndërhyrja në sistemin zgjedhor është diçka që do diskutohet. “Sot u emërua grupi i ekspertëve, u dhanë detyrat paraprake për grupin e ekspertëve. Në përmbajtjet e tjera akoma nuk kemi ndërhyrë, por shumë shpejt do të nisim punën me çështjet konkrete që do të adresojë ky komision. Çështjet e tjera janë të gjitha ato problematika dhe rekomandime që kanë të bëjnë me procesin zgjedhor në Shqipëri. Sistemi zgjedhor është një çështje që do të diskutojmë në vazhdim dhe presim edhe propozime të partive të vogla. Jam optimist apo pesimist, e rëndësishme është që nisëm nga puna, kur ka vullnet, ka mundësi edhe për sukses”, - tha Gjiknuri.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›