Shefat e shërbimeve në QSUT, debat mes deputetëve të PD
Mazhoranca në komisionin e Ligjeve ka miratuar vetëm me votat e saj nismën individuale të deputetit Vangjel Tavo për disa ndryshime në ligjin “Për arsimin e lartë”, nëpërmjet të cilave sanksionohet detyrimi që shefat e shërbimeve në QSUT, përveçse të kenë gradën shkencore ‘Doktor’, duhet të kenë dhe përvojë klinike e akademike. Kështu, sipas këtij ndryshimi që propozohet të bëhet në ligj, shef shërbimi në QSUT do të zgjidhen ata që kanë gradën më të lartë shkencore, por kjo e kombinuar me eksperiencën në ushtrimin e profesionit të mjekut në spital. Një ndryshim tjetër që është miratuar në komisionin e Ligjeve është edhe ai për emërimin e një koordinatori për ato lëndë që përfshijnë disa shërbime në Fakultetin e Mjekësisë. Pra, koordinimi i punës jo në pikëpamjen klinike, por vetëm akademike. Ndërkohë që një ndryshim tjetër i propozuar dje në tryezën e komisionit të Ligjeve ishte edhe ai që u jep të drejtë dekanëve dhe rektorëve të fakulteteve të mjekësisë që të kandidojnë dhe për një mandat të dytë. Por ndryshimet e paraqitura nga Tavo dhe të pasuruara me amendime shtesë nga përfaqësuesja e Ministrisë së Arsimit dhe deputeti-mjek Tritan Shehu, kanë krijuar jo pak debate në komisionin e Ligjeve edhe mes vetë deputetëve të mazhorancës. Kështu, deputeti Fatos Hoxha nuk ka nguruar ta shprehë hapur qëndrimin e tij kundër përcaktimit në ligj që, për t’u zgjedhur koordinator duhet të ketë përveç gradës shkencore ‘Doktor’ edhe përvojën e duhur. Sipas tij, ky ndryshim nuk bënë gjë tjetër veçse lë pa zgjidhur problemin që është edhe tani. “Ndoshta me këtë ndryshim që propozon ministria biem prapë në atë gabim ose më saktë, në problemin që ekziston në botën akademike tonën, sepse duke futur fjalën përvojë, ne nuk lëmë që të rinj të talentuar të shkolluar jashtë për shumë e shumë arsye pa përvojë klinike e akademike të ngjitin këto shkallë. Pra po ua mbyllim derën sërish”, - tha Hoxha duke replikuar për këtë temë me deputetin Tritan Shehu.