Importi i plehrave, në KQZ kërkesë për referendum
Përmes shfuqizimit të dy neneve të ligjit me referendum, kërkohet që shqiptarët të vendosin nëse duhet lejuar ose jo importi i plehrave
TIRANË Dy javë pas miratimit të ligjit për menaxhimin e mbetjeve, dhe pas protestave të njëpasnjëshme, përfaqësues të shoqërisë civile kanë nënshkruar një kërkesë, për shfuqizimin e dy neneve të këtij ligji përmes referendumit. Kërkesa është depozituar dje zyrtarisht në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Shfuqizimi dy neneve të ligjit përmes një referendumi ka si qëllim faktin se duhet të jenë shqiptarët ata që duhet të vendosin nëse duhet lejuar ose jo importi i mbetjeve.“Paraqitëm sot kërkesën tonë zyrtare, në mënyrë që populli shqiptar të shprehet nëse është pro apo kundër importit të mbetjeve në Republikën e Shqipërisë. Shpresojmë që KQZ-ja ta marrë në konsideratë dhe të na japë fletët-tip të plotësimit të firmave të qytetarëve të republikës dhe ne menjëherë të fillojmë që të marrim 50 mijë firmat që nevojiten për këtë referendum”, - tha dje një nga ambientalistët, Lavdosh Faruni. Përfaqësuesit e shoqërisë civile kanë risjellë në vëmendje vendime të mëparshme të qeverisë të cilat edhe pse janë kontestuar fort nuk janë shfuqizuar. “Është hera e dytë që vij në këtë godinë, pasi ne kemi kërkuar gjashtë vjet më parë referendumin për parkun energjetik. Koha e provoi që ne kishim të drejtë dhe vendimi i KQZ-së për të mos e lejuar referendumin ishte i gabuar”, - tha një përfaqësues i shoqërisë civile. Grupi nismëtar për zhvillimin e këtij referendumi ka argumentuar të gjitha pikat e këtij ligji, një pjesë e të cilave, sipas tyre, bie ndesh me Kushtetutën dhe me prioritetet e qeverisë për zhvillimin e turizmit.