E Diel, 1 Nëntor 2026

Marrëveshja, PS heq dorë nga fletët e votimit. PD garanci për të mos i djegur

21/07/2010 Takimi i dytë mes PS-së e PD-së, ngrihet komisioni hetimor brenda sesionit parlamentar

Kryetari i ligjvënësve socialistë dhe ai i demokratëve, përkatësisht Gramoz Ruçi dhe Astrit Patozi, rinisin bisedimet në funksion të realizimit të hetimit parlamentar mbi procesin zgjedhor të vitit që shkoi. Kështu, pritet që gjatë ditës së sotme PD-ja e PS-ja ti rikthehen tryezës së dialogut, ku në qendër do të jenë pikërisht teknikat mbi të cilat do të përqendrohet hetimi. Synohet që marrëveshja të përqendrohet tek arritja e një pakti konsensual, sipas të cilit PS-ja heq dorë nga hapja e kutive të fletëve të votimit, ndërsa PD-ja jep garancinë se nuk do ti djegë ato. Ndërkohë komisioni hetimor do të ketë objekt hetimi materialet zgjedhore dhe do të ndjekë të njëjtën procedurë që u zbatua për Ruzhdien. Ky komision duhet të ngrihet brenda këtij sesioni parlamentar.

Takimi

Edhe pse nuk ka një njoftim zyrtar, burime pranë selive të dy partive kryesore në vend bënë me dije se gjatë ditës së sotme do të ketë një takim të dytë mes Ruçit dhe Patozit për të diskutuar mbi teknikat e punës së komisionit hetimor për transparencën e zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit. Meqenëse në takimin e parë PS-ja dhe PD-ja ranë dakord për ngritjen e një komisioni të tillë hetimor, tashmë i gjithë diskutimi mbetet mbi objektin e hetimit të këtij komisioni. Ndërkohë vonesa për një ritakim të dytë mësohet të ketë ardhur nga lidershipi demokrat, i cili nuk ka dhënë orientimet e mëtejshme mbi ecurinë e bisedimeve me PS-në.

Marrëveshja

Synimi i tryezës së radhës mësohet të jetë arritja e një marrëveshje mes Partisë Demokratike dhe asaj Socialiste. Kështu, nëse do të ekzistojë vullneti politik i këtyre dy forcave politike, ky takim do të rakordojë qëndrimet mes tyre, duke i dhënë fund në këtë mënyrë zhbllokimit të ngërçit, prezent në sfondin politik që prej 28 qershorit të vitit 2009. Marrëveshja duhet të jetë e konturuar në një formë të tillë, ku Partia Socialiste do të pranojë që të hetohen vetëm materialet zgjedhore. Po edhe pse pranon të heqë dorë nga hapja e kutive të fletëve të votimit, ajo do ti kërkojë kampit blu të garantojë që këto kuti të mos digjen.

Nga ana tjetër, menjëherë pas ngritjes së këtij komisioni hetimor, i cili pritet që pas marrëveshjes të kalojë për miratim në Kuvend në njërën nga seancat parlamentare të radhës, të cilat do të shënojnë mbylljen e këtij sesioni, socialistët kanë gati strategjinë e hetimit. Mësohet se do të ndiqet e njëjta mënyrë hetimi që u përdor gjatë hetimit të materialeve zgjedhore në komunën e Ruzhdies.

Rezultatet e takimit të parë mes Ruçit dhe Patozit

Në tryezën e parë të bisedimeve mes dy të mandatuarve nga PS-ja dhe PD-ja për të zhvilluar negociatat për zgjidhjen e krizës politike u arritën këto rezultate:

Ngritja e një komisioni të ri hetimor parlamentar për transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit 2009. Shumica dhe drejtimi i komisionit hetimor parlamentar do ti takojë opozitës.

Të gjitha ato institucione ku do të apelohet për dhënie informacionesh, duhet ti përgjigjen komisionit, duke ofruar materialet e kërkuara jo më vonë se 7 ditë nga paraqitja e kërkesës.

Objekti i hetimit të komisionit mbetet për tu diskutuar në një tjetër takim mes palëve.

PS-ja u shpreh se për hetim të fletëve të votimit do të vazhdojë negocimi. PD-ja theksoi se për fletët e votimit opozita mund ti drejtohet Gjykatës Kushtetuese, e cila nga ana e saj më pas të kërkojë mendim nga Komisioni i Venecies për të dhënë vlerësim për hapjen ose jo të kutive të votimit. PD-ja thotë se, nëse opozita nuk ndërmerr këtë hap, mazhoranca është gati të ngrejë menjëherë komisionin dhe të hetojë mbi materialet zgjedhore.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›