E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gramsh, vret me automatik vajzën e dajës



Krimi brenda familjes godet sërish në këto 24 orë, kësaj radhe në qytetin e vogël të Gramshit. Kushëriri vret kushërirën me automatik, ndërkohë që mbeten ende të pasqaruara rrethanat në të cilat ka ndodhur ky krim. Krimi i rëndë ka ndodhur pasditen e djeshme në lagjen “18 gushti” në qendër të qytetit të Gramshit. Një 27-vjeçar ka qëlluar për vdekje me automatik “Kallashnikov” kushërirën e parë, vajzën e dajës. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në banesën e vajzës së vrarë, Greta Sulxhaferri, 20 vjeçe. Sipas burimeve zyrtare policore, krimi ka ndodhur në orën 16:00 në qendër të qytetit Gramsh. Sipas të dhënave, Greta Sulxhaferraj, 20 vjeçe, lindur e banuese në lagjen nr. 1 të qytetit Gramsh, është vrarë me armë zjarri të tipit “Kallashnikov”, duke u qëlluar me disa plumba brenda në banesën e saj dhe që i morën jetën në mënyrë të menjëhershme. “I dyshuari Ilir Koçi, 27-vjeçar, gjithashtu i lindur e banues në Gramsh, i cili ka lidhje fisnore me të ndjerën, dyshohet se e ndërmori aktin vrasës pas një grindjeje të çastit, motivet e së cilës po hetohen”. Ilir Koçi është arrestuar në kushtet e flagrancës dhe mësohet se ai e ka pranuar krimin, ndërsa pritet të merret në pyetje për të zbardhur tërësisht ngjarjen. Lajmi i vrasjes së të resë është konfirmuar disa minuta pasi ka ndodhur nga organet e policisë së këtij rrethi, ku gjithashtu burimet pranë kësaj policie konfirmuan se është bërë i mundur ndalimi i autorit të krimit. Ilirjan Koçi u arrestua menjëherë pas kryerjes së krimit dhe pas kësaj është marrë në pyetje nga policia, me qëllim gjetjen e arsyeve që e çuan atë në kryerjen e këtij veprimi. Ndërkohë, policia e rrethit është duke hetuar për të gjetur shkaqet që çuan 27-vjeçarin në kryerjen e këtij krimi, i cili ka tronditur rëndë të dyja familjet. Po sipas të njëjtave burime policore, nuk dihet ende nëse dy të rinjtë ishin vetëm në banesë në momentin e krimit apo jo. Por, shtojnë burimet policore, kanë qenë banorët ata që kanë lajmëruar policinë për ngjarjen në fjalë. Sipas uniformave blu, ekzekutimi makabër ka tronditur banorët e lagjes “18 gushti” në Gramsh, të cilët pas të shtënave kanë lajmëruar policinë. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë shkuar edhe bluzat e bardha por fatkeqësisht pa mundur t’i shpëtojnë jetën 20-vjeçares, për shkak të plagëve të marra nga shkrehja e automatikut.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›