E Shtunë, 31 Tetor 2026

Marrëveshja, Puto: Kushtetuesja ta rrëzojë

TIRANE- Historiani dhe eksperti i së drejtës ndërkombëtare, Arben Puto, gjatë një interviste të dhënë për “Gazeta Shqiptare” shprehet i bindur se Gjykata Kushtetuese do ta rrëzojë si antikushtetuese marrëveshjen e përcaktimit të kufirit detar me Greqinë.

Sipas tij, debati i zhvilluar gjatë seancës së shqyrtimit të çështjes vërtetoi të gjitha shkeljet ligjore të paktit detar, që nga procesi i negocimit e deri tek përmbajtja e marrëveshjes përfundimtare. “Kjo marrëveshje e ka dëmtuar sovranitetin territorial të Shqipërisë. Kanë dalë mjaft fakte flagrante, që e vënë në dyshim këtë marrëveshje dhe krijojnë bindjen e plotë që me këtë marrëveshje është shkelur sovraniteti territorial i Shqipërisë, pasi i është dhënë shtetit fqinj një hapësirë detare jashtë çdo rregulli. Diskutimi serioz nga ana e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese më ka lënë një shije të mirë, dhe uroj që ashtu siç është nisur, ashtu edhe të përfundojë në shpalljen e vendimit”, - shprehet Puto gjatë intervistës.

Në cilësinë e ekspertit të çështjes së detit dhe të së drejtës ndërkombëtare Puto komenton debatin e zhvilluar në Gjykatë dy ditë më parë.

Unë vërej, nga debati që është zhvilluar në Gjykatën Kushtetuese, se zv/shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Kristaq Gërveni ka thënë mes të tjerash që, “ne i kemi propozuar palës greke që Gjiri i Sarandës dhe ai i Ksamilit dhe një tjetër, të quhen ujëra të brendshme dhe pala greke nuk i ka pranuar”. Po ç’do të thotë kjo, që pala greke nuk i ka pranuar? Ç’është kjo? Pse vetëm pala greke vendos dhe dikton se kush duhet të quhen ujëra të brendshëm dhe kush jo? Nuk e kuptoj. Një gjë tjetër që më ka tërhequr vëmendjen ....është se një nga negociatorët, Ledia Hysi mbron me forcë nenin 2 të marrëveshjes, i cili thotë që në ato ujëra që i përkasin shtetit ai nuk mund ta ushtrojë sovranitetin e tij. Po çfarë ujëra janë këto atëherë, nëse nuk mund të ushtrohet sovraniteti? Nga debati dalin edhe më shumë dyshime nga diskutimet që janë bërë më përpara. Kam bindjen që çështja është vërtet serioze dhe uroj që do të gjendet rruga e vërtetë e zgjidhjes. Nga shikimi i përgjithshëm i debatit në Gjykatën Kushtetuese rezulton, sipas mendimit tim, që Shqipëria dëmtohet. Madje, me një dëm goxha të madh. Të humbasësh një sipërfaqe të madhe ujore të tillë, sikundër po llogaritet, është vërtet e papranueshme.”
Pakti
Marrëveshja për ujrat detare me Greqinë që u firmos mes dy qeverive në prill të këtij viti u bë e njohur që pas publikimit të fakteve tronditëse nga “Gazeta Shqiptare” dhe TVNews24. Gazeta Shqiptare" ka qenë e para e përditshme në vendin tonë që arriti të zbardhë qysh në 26 prill 2009, faktin tronditës që fshihet në marrëveshjen shqiptaro-greke "Për delimitimin e zonave përkatëse të shelfit kontinental dhe zonave të tjera detare që i përkasin në bazë të së drejtës ndërkombëtare". Sipas zbulimit, mësohet me fakte se Marrëveshja cënon ujërat kombëtare në detin Jon me rreth 354.4 km2, të cilat i “dhurohen” fqinjit tonë jugor, Greqisë. Fakti i pretenduar do të vërtetohej vetëm pak muaj më vonë nga ish-drejtori i Institutit të Topografisë Ushtarake të Shqipërisë, koloneli Myslym Pasha, njëherësh profesor me gradën shkencore “Kandidat i shkencave”, i lauruar me titullin “Mjeshtër kërkimesh”. Në 28 shtator 2009, GSH botoi ekskluzivisht studimin prej 117 faqesh të kolonelit Pasha, sipas të cilit, nga kjo marrëveshje cënohej rëndë sovraniteti territorial i Republikës së Shqipërisë, me 354.4 km2 sipërfaqe ujore në detin Jon, që i dhurohej kësisoj Greqisë.
Edhe ushtarëkët shqiptarë dhe disa shoqata në vend i kërkuan kuvendit mosratifikimin e marrëveshjes shqiptaro-greke për delimitimin e kufijve detarë.
Në datën 25 shtator, Komisioni Parlamentar i Ligjeve e miratoi këtë marrëveshje. Por, në datën 15 tetor 2009, Parlamenti shtyu pa afat ratifikimin e marrëveshjes për përcaktimin e kufirit detar mes Shqipërisë dhe Greqisë pas presionit mediatik në rritje të "Gazeta Shqiptare", e cila për mbi 8 muaj me radhë po boton fakte dhe dokumente mbi këtë çështje. Ceshtja aktualisht shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuese.
(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›