E Diel, 1 Nëntor 2026

Gyl sot në Shqipëri, takon Topin, Ramën dhe Berishën

TIRANE- Sot mbërrin në Shqipëri Presidenti i shtetit turk, Abdullah Gyl, njërit prej mbështetësve më të mëdhenj të vendit tonë dhe Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Gyl pritet të mbërrijë në aeroportin “Nënë Tereza” rreth mesditës, dhe një orë pas mbërritjes së tij së bashku me delegacionin që e shoqëron, organizohet ceremonia zyrtare në Pallatin e Brigadave.

Gyl do të pritet nga Presidenti Topi, me të cilin do të ketë një takim menjëherë pas ceremonive të rastit. Pas nënshkrimit të protokolleve të bashkëpunimit mes ministrit tonë të Jashtëm, Meta dhe atij turk, Davutoglu, ky nënshkrim do të pasohet me një konferencë të përbashkët për shtyp nga dy presidentët.

Dy takimet e fundit të Presidentit turk ditën e sotme janë vizita në kolegjin e njohur turk në Tiranë, ‘Mehmet Akif’ dhe takimi me kreun e Bashkisë së kryeqytetit, që është njëkohësisht dhe kreu i opozitës shqiptare, Edi Rama.

Nesër të dy presidentët do të përshëndesin me një fjalim të shkurtër Forumin e Biznesit shqiptaro-turk. Më pas Presidenti turk do të zhvillojë takime i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, ku që të dy pritet të jenë të pranishëm në ceremoninë e hapjes së qendrës kulturore “Yunus Emre”. Qoftë për vlerat e saj të rralla në të gjithë Ballkanin, qoftë edhe se është pjesë e përkatësisë fetare, presidenti Gyl do të vizitojë dhe xhaminë e Et’hem Beut, e cila u ndërtua nga Mulla Beu në fund të shekullit të tetëmbëdhjetë, e pikërisht në vitet 1830-1831.

Takimi me kryeministrin Berisha do të zhvillohet të premten në mesditë, në Vilën 30. Kjo vizitë bëhet një ditë pas ardhjes së Presidentit turk në vendin tonë, për shkak të angazhimit të kryeministrit Berisha në një aktivitet në Bon të Gjermanisë. Presidenti i Republikës turke, i shoqëruar me delegacionin zyrtar, do ta përfundojnë vizitën në Shqipëri me një takim me kryetaren e Parlamentit, Jozefina Topalli.

Vizita e Presidentit Gyl në vendin tonë shënon vizitën e dytë të një zyrtari të lartë të shtetit turk në vendin tonë brenda një kohe të shkurtër. Kryeministri i vendit, Taip Erdogan ishte i pranishëm në Shqipëri më 26 qershor të këtij viti, në ceremoninë e hapjes së tunelit të Kalimashit.

(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›