E Diel, 1 Nëntor 2026

Marrëveshja e kufijve, Topi: Nëse ka probleme s'e ratifikoj

TIRANE-Presidenti Bamir Topi pohoi se nuk do ta dekretojë marrëveshjen Shqipëri-Greqi për kufijtë detarë, nëse gjatë shqyrtimit të saj do të konstatohen probleme. Në një intervistë dje për emisionin “Opinion” i pyetur nëse është Presidenca është pyetur për marrëveshjen e përcaktimit të kufirit detar me Greqinë, presidenti deklaroi ““Ka përcaktime të qarta në Kushtetutë, por referuar nenin 84 të Kushtetutës, presidenti ka një pozicion të qartë për dekretimin e ligjeve dhe ato me natyrë ratifikuese të këtyre marrëveshjeve dhe ka vend për të ndërhyrë në këtë proces. Por nuk ka ardhur ende momenti për të ndërhyrë në këtë çështje. “- tha Presidenti duke shtuar “Siguroj publikun se e gjithë ngarkesa institucionale që do të japë një vendim të qartë, në rast se është gabuar dhe është shmangur gjatë procesit qoftë edhe një hallkë, presidenti nuk do ta firmosë këtë marrëveshje, nëse ka qenë gjithçka mirë, atëherë do ta firmosë. Por për këtë do të shprehem pasi Gjykata Kushtetuese të shprehet për këtë çështje.

Gjykata Kushtetuese vendosi dje të pezullojë procedurat e ratifikimit në Kuvend të marrëveshjes së përcaktimit të kufirit detar me Greqinë, deri në marrjen e një vendimi përfundimtar. Me 5 vota pro dhe 4 kundër, Mbledhja e Gjyqtarëve vendosi të marrë në shqyrtim kërkesën ankimore të Partisë Socialiste, pasi siç argumentohet, “ekziston shkaku dhe baza ligjore për shqyrtim gjyqësor të kërkesës”

“Gazeta Shqiptare”
“Gazeta Shqiptare” ka qenë e para e përditshme në vendin tonë që arriti të zbardhë qysh në 26 prill 2009 faktin tronditës që fshihet në marrëveshjen shqiptaro-greke “Për delimitimin e zonave përkatëse të shelfit kontinental dhe zonave të tjera detare që i përkasin në bazë të së drejtës ndërkombëtare”. Në disa numra rresht, GSH vërtetoi asokohe se qeveria Berisha i kishte dhuruar Greqisë nëpërmjet nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje një sipërfaqe të madhe ujore në detin Jon. Fakti i pretenduar do të vërtetohej vetëm pak muaj më vonë nga ish-drejtori i Institutit të Topografisë Ushtarake të Shqipërisë, koloneli Myslym Pasha, njëherësh profesor me gradën shkencore “Kandidat i shkencave”, i lauruar me titullin “Mjeshtër kërkimesh”. Në 28 shtator 2009, GSH botoi ekskluzivisht studimin prej 117 faqesh të kolonelit Pasha, sipas të cilit, nga kjo marrëveshje cënohej rëndë sovraniteti territorial i Republikës së Shqipërisë, me 354.4 km2 sipërfaqe ujore në detin Jon, që i dhurohej kësisoj Greqisë. Në datën 25 shtator, komisioni parlamentar i Ligjeve e miratoi këtë marrëveshje. Por në datën 15 tetor 2009, parlamenti shtyu pa afat ratifikimin e marrëveshjes për përcaktimin e kufirit detar mes Shqipërisë dhe Greqisë pas presionit mediatik në rritje të “Gazeta Shqiptare”, e cila për 8 muaj me radhë po boton fakte dhe dokumente mbi këtë çështje.
(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›