Marrëveshja e ujërave, Metalla: PS, sulm interesave kombëtare
Deputeti i Partisë Demokratike, Osman Metalla, deklaroi dje se ankimimi në Gjykatën Kushtetuese i marrëveshjes së ujërave mes Shqipërisë dhe Greqisë bërë nga Partia Socialiste, është një sulm që po u bëhet interesave të shqiptarëve. Sipas Metallës, nuk pa pasur asnjëherë kufi ujor mes dy vendeve, ndaj dhe marrëveshja ishte e domosdoshme. “Unë dua t’u them shqiptarëve se atakimi i kësaj marrëveshjeje pranë Gjykatës Kushtetuese është një sulm që u bëhet interesave të shqiptarëve. Duhet thëne se në asnjë kohë nuk ka pasur kufij të përcaktuar detarë ndërmjet Republikës se Shqipërisë dhe Greqisë”, - tha Metalla. Deputeti i PD-së tha më tej se mes dy vendeve janë respektuar ligjet e detit dhe secila palë ka marrë atë që i takon. “Vija e kufirit detar e hequr në hartat shqiptare, ka qenë një kufi i panjohur dhe i padeklaruar ndërkombëtarisht. Nuk ka pasur asnjë marrëveshje bilaterale ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë. Janë zbatuar me rigorozitet të gjitha parashikimet e konventës së Kombeve të Bashkuara, ligji i detit apo siç njihet ndryshe konventa e Montegobeit të vitit 1982, e cila është ratifikuar nga Kuvendi i Shqipërisë në vitin 2003”, - deklaroi deputeti i PD-së, Osman Metalla. Partia Socialiste së bashku me 5 parti të tjera dërguan në Gjykatën Kushtuese ankesën për këtë marrëveshje. Sipas tyre, marrëveshja nuk ka qenë korrekte. Nga ana tjetër, aleatja e PS-së, PBDNJ-ja, nuk ka mbështetur këtë aksion të PS-së.