E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Kutitë do i hapim me çdo kusht



Kreu i PS-së, Edi Rama, nuk ka bërë asnjë hap pas në qëndrimin e tij për të rihapur kutitë e votimit të 28 qershorit, edhe pse procesi ka përfunduar në të gjitha hallkat zgjedhore. Madje ai ka radikalizuar gjuhën e tij pas deklaratës së djeshme të Kryeministrit Sali Berisha, i cili tha se është absurde të hetosh vendimet e gjykatës. Por Rama iu përgjigj se “kërkojmë hapjen e kutive për transparencë përmes një komisioni parlamentar që nuk është shkallë gjykimi dhe nuk ka të bëjë me procesin juridik që u mbyll me vendimin e kolegjit përkatës”. Rama ka bërë të qartë se ky është kusht i panegociueshëm, duke e futur opozitën në një bojkot të vazhdueshëm të Kuvendit dhe të proceseve zgjedhore. Më tej, ai akuzoi Berishën se nuk do të hapë kutitë e votimit, pasi nuk do të nxjerrë në pah vjedhjet që ka bërë, ndërsa një kërkesë e tillë në një shtet tjetër është normale. Rama nënvizoi se “nuk mund të ketë proces të ri zgjedhor pa mbyllur një proces hetimor mbi zgjedhjet e shkuara”. Partia Socialiste do të vazhdojë të mbajë qëndrimin e bojkotit të Parlamentit dhe të protestave të cilat do të përshkallëzohen deri në hapjen me çdo kusht të kutive të votimit. “Berisha nuk ka dy rrugë por vetëm një: t’i hapë rrugë procesit të transparencës së zgjedhjeve”, - theksoi Edi Rama. Por Rama bëri krahasime që duket se nuk qëndrojnë në paralele me çështjen shqiptare. Ai tha se në Greqi dhe Afganistan po hapen kutitë për t’u rinumëruar. E vërteta qëndron se në këto dy shtete kutitë po rinumërohen brenda procesit zgjedhor, jo pasi ka dalë rezultati përfundimtar dhe pasi janë shprehur institucionet zgjedhore, si KQZ dhe Kolegji Zgjedhor. Kësisoj paralelet e kreut të PS-së nuk qëndrojnë logjikisht dhe pse mund të bëjnë një frazë politike për elektoratin socialist. Gjithsesi, Rama ka vendosur të jetë radikal në qëndrimet e tij. Ai ripërsëriti dje se “ne nuk do të hyjmë në Parlament. Ne do t’i përshkallëzojmë protestat tona dhe do t’i japim përgjigjen e merituar Sali Berishës dhe vartësve të tij, sa në Ministrinë e Jashtme, sa në karrige të tjera të qeverisë, që përpiqen më kot të bëjnë sikur kjo çështje është e mbyllur apo ekziston vetëm për opozitën”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›