PD, Mëhilli: Rama, presion korruptiv ndaj mediave
PD-ja akuzoi dje Edi Ramën se lejet e ndërtimit po i këmben me faqet e gazetave dhe televizionet për të keqinterpretuar opinionin për situatën aktuale në Shqipëri. Zëdhënësja e PD-së, Erla Mëhilli, reagoi dje për raportin e fundit të “Reporterë pa kufij” që sipas saj, është keqinterpretuar e deformuar prej të njëjtëve individë e klane që çdo ditë raportojnë të pavërtetën për situatën në Shqipëri. “Janë të njëjtat klane e të njëjtët individë që çdo ditë përpiqen të ngjallin katastrofizëm e panik në mediat që sundojnë, duke abuzuar me kohën, emocionet, intelektin dhe paratë e shqiptarëve. Duke pasqyruar të pavërtetën, madje të kundërtën e së vërtetës, për qëllime e parime krejtësisht të kundërta me ato mbi të cilat duhet të mbështesë misionin e saj një media e lirë, në një vend të lirë, informimin e paanshëm të opinionit publik”, - tha znj. Mëhilli. Ajo vuri në dukje: “Raporti përcjell një mesazh të qartë për të gjithë editorialistët, botuesit dhe pronarët e medias në Shqipëri për shkak se njihet tashmë mirë dhe ne e kemi denoncuar vazhdimisht, shantazhin ose ankandin e ashtuquajtur leje ndërtimi baras kohë televizive, ku kryetari i PS-së, Edi Rama, është ideatori dhe ndërtuesi i këtij tregu të turpshëm, me moton “Të jap leje ndërtimi, më jep kohë televizive ose faqet e gazetës”, - tha Mëhilli. Sipas saj, Edi Rama vazhdon të ushtrojë presionin e tij korruptiv ndaj mediave, duke shtypur lirinë e fjalës dhe duke ndërhyrë deri në përcaktimin e politikave editorialiste në disa media, çka asgjëson çdo lloj standardi etik, profesional e njerëzor. “Është e vërtetë që raporti i publikuar i “Reporterë pa kufij” lëshon një sinjal alarmi, por jo për lirinë e medias në Shqipëri. Raporti është një sinjal alarmi për përgjegjshmërinë, integritetin, profesionalizmin dhe raportin e medias me të vërtetën në Shqipëri. Nga ana tjetër, PD është partia e parë që rivendosi në Shqipëri të drejtën e fjalës dhe të drejtën e shprehjes dhe kjo mazhorancë rikonfirmon vendosmërinë e palëkundur dhe angazhimin e saj në mbështetjen dhe mbrojtjen e lirisë dhe të drejtave të mediave në Shqipëri, të lirisë së të shprehurit si dy nga shtyllat bazë të demokracisë në vend”, - përfundoi zëdhënësja e PD-së.
Berisha: Asnjë padi ndaj mediave
Reformat në fushën e lirive dhe të drejtave njerëzore, sipas Kryeministrit Sali Berisha, "do të jenë prioritare në axhendën e qeverisë, ndaj dhe do të punohet për ndryshimin e kushteve të komunitetit rom dhe egjiptian, për strehimin, shkollimin dhe punësimin e tyre". Gjatë mbledhjes së djeshme të qeverisë, Kryeministri u ndal në mënyrë të veçantë tek të drejtat e gazetarëve në Shqipëri ndaj të cilëve siguroi se qeveria nuk do të bëjë asnjë padi ndaj tyre. "Mediat nuk do të kenë as edhe një padi të vetme nga administrata shtetërore, duke konsoliduar kështu një standard unik në Evropë. Uroj që ky standard të frymëzojë edhe botuesit, pronarët dhe disa faktorë politikë që nga mëngjesi deri në darkë kontrollojnë mediat me sms", - theksoi z. Berisha.